Nuk ka sinjale që Serbia e ka ndalur fushatën për të siguruar çnjohjet nga vendet që tashmë e kanë njohur Kosovën, thonë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Qeverisë së Kosovës.
Këto deklarata të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës vijnë pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pretendon se ekzistojnë shtete, që janë të gatshme që të tërheqin njohjet e Kosovës.
Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, thekson se deklaratat kërcënuese nga autoritetet e Serbisë vijnë në prag të vazhdimit të dialogut me Kosovën dhe kanë për qëllim që ta minojnë këtë proces.
Por, sipas tij, diplomacia e Kosovës nuk ka strategji të qartë për të bllokuar përpjekjet e Serbisë për të siguruar çnjohjet e pretenduara nga vendet e caktuara.
Sipas zotimeve të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë në Uashingtonit, më 4 shtator të vitit 2020, Kosova ka marrë mbi vete obligimin që të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare brenda një viti, ndërkaq për të njëjtën periudhë kohore, Serbia ka marrë obligim që ta ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
MPJD: Nuk ka sinjale për ndalim të fushatës së Serbisë për çnjohje të Kosovës
Në përgjigjen me shkrim nga MPJD thuhet se “për fat të keq, Serbia në vazhdimësi po dëshmon se nuk i përmbahet marrëveshjeve dhe vazhdon politikat e saj destruktive në raport me Kosovën”.
“Nuk kemi asnjë sinjal, i cili na bën të besojmë që Serbia ta ketë ndalur fushatën për çnjohje të Kosovës, as më herët e as tani. Kjo është për keqardhje dhe natyrisht që e ndikon edhe ecurinë e dialogut që pritet të mbahet. Qasja e Kosovës mbetet megjithatë konstruktive. Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e përkushtuar dhe çdo ditë po punon me shumë seriozitet për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Megjithatë, kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje në pyetjen se a ka njohuri se cilat janë ato vende, te të cilat potencialisht Serbia ka lobuar për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj, ka deklaruar për një media në Serbi se vendi i tij duhet t’i përballojë presionet që do të jenë gjithnjë e më të fuqishme nga vendet e fuqishme perëndimore, të cilat e kanë njohur Kosovën. Siç ka thënë ai, “në këtë moment ata nuk kanë arritur të zhvatin ndonjë njohje nga vende të caktuara për Prishtinën, sepse duan të thonë që po e respektojnë marrëveshjen e Uashingtonit”.
“Unë po ju them të gjithëve, ju vetëm bëjeni punën e juaj. Do të befasoheni kur të shihni se si do të jetë përgjigja jonë. Do të shihni se sa vende do t’i tërheqin njohjet të njëjtën ditë”, deklaroi Vuçiq dhe shtoi se për një gjë të tillë nuk do t’i pyes as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as Evropën dhe askënd tjetër.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka thënë se “e fton BE-në dhe SHBA-në që si ndërmjetësuese dhe përkrahëse të procesit të dialogut të mbështesin procesin, të vlerësojnë rolin konstruktiv të Kosovës dhe ushtrojnë trysninë e domosdoshme ndaj Serbisë për të ndalur fushatat dhe qasjen armiqësore ndaj Republikës së Kosovës”.
Hoti: Diplomacia e Kosovës pa strategji të qartë
Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se tash e sa kohë është bërë praktikë që Serbia, ndonëse thotë që i respekton marrëveshjet ndërkombëtare, në nëntokë ka ndërmarrë veprime që konsiderohen destruktive dhe që në thelb tentojnë të minojnë procesin e paqes dhe të arritjes së një marrëveshjeje me Kosovën.
Por, sipas tij, diplomacia e Kosovës, nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ende nuk ka dhënë shenja se është duke e amortizuar lobimin e Serbisë kundër njohjeve të Kosovës.
“Nga ajo që shihet, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk është marrë me këtë çështje. Për më shumë se sa kjo, është marrë me çështje të konsumit të brendshëm politik, do të thotë me çështje që absolutisht nuk lidhen me diplomacinë. Normalisht, i tërë procesi karakterizohet me një kreditim të fuqishëm të faktorit serb, në veçanti tash, në këtë moment të ndjeshëm, meqë jemi para rinisjes së negociatave”, theksoi Hoti.
Ai shtoi se para momenteve të tilla, siç është vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, është e kuptueshme që të dyja palët hedhin gurë mbi njëri-tjetrin, bëjnë plane, por edhe inskenime të ndryshme, që në esencë të tyre kanë përfitimin dhe avancimin e pozitës së tyre negociuese.
Siç tha profesor Hoti, me një situatë të tillë, Serbia është e sfiduar tash e disa kohë dhe ajo tashmë është në ofensivë në shumë drejtime, sikurse edhe me shantazhet për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga shtete të caktuara.
Ai vlerësoi që Serbia nuk mund të ketë sukses në të gjitha këto kërcënime dhe shantazhe, sepse nuk është shtet me fuqi globale, por sipas tij, një gjë e tillë nuk e amniston mospunën eventuale të diplomacisë së Kosovës.
“Kjo nuk e liron Kosovës nga obligimi, që qoftë përmes diplomacisë së saj të brishtë, ashtu siç e ka, qoftë në koordinim të ngushtë me shtetet aleate të fuqishme, jo vetëm të mbajë lidhjet e forta, por edhe t’i intensifikojë ato dhe të shohë për shtigje të tjera për të siguruar njohje të reja. Kjo, normalisht që nuk mund të bëhet nëse nuk kemi strategji të qartë dhe nëse nuk ndërtojmë diplomaci, e cila merret me diplomacinë e Kosovë dhe jo diplomaci që merret me politikë ditore në Prishtinë”, theksoi Hoti.
Serbia, që nga viti 2017, ka bërë fushatë agresive diplomatike për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës.
Për shkak të lobimit të saj, disa shtete thuhet se i kanë ngrirë raportet e bashkëpunimit me Kosovën.
Fushata e Serbisë, më herët, ka penguar që Kosova të anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).