Serbia nuk do të ketë interes ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, pasi që bashkëpunimi ndërshtetëror për luftimin e krimeve të ndryshme është në favorin e të dyja vendeve.
Kështu ka thënë për Ekonomia Online, Plator Avdiu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i cili thekson se Kosova i ka të gjitha mundësitë reale për të qenë pjesë e këtij institucioni, që pritet të votohet në shtator të këtij viti në Pekin të Kinës.
“Mendoj që të gjitha argumentet profesionale janë në favor të Kosovës të cilat duhet të shfrytëzohen maksimalisht nga institucionet tona. Ka edhe argument juridike që tregojnë pse Kosova duhet të jetë në Interpol, në këtë rast duhet të shfrytëzohen edhe argument që janë dhënë gjatë anëtarësimit të vendit në UEFA dhe në FIFA”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se lajmi që Kosova do të jetë pjesë e agjendës së punimeve të asamblesë se INTERPOL-it, është mjaftë i mirë, për shkak se asnjëherë nuk ka ndodhur më herët një gjë e tillë.
“Tashmë INTERPOL-i ka hartuar një raport të ri me disa udhëzime të reja se cila janë kushtet që duhet plotësuar një vend për të qenë anëtar. Këto kushte janë që një vend duhet të ketë popullsinë e vet, qeverisjen demokratike, territorin e caktuar, dhe se ai vend duhet të ketë kapacitet për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera. Këto kushte i plotëson dhe nuk ka arsye që Kosova të mos pranohet në këtë mekanizëm”, ka thënë ai.
Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në këtë institucion do ta barazonte Policinë e Kosovës me policitë e tjera të botës dhe do ta fuqizonte rolin e saj në luftimin e krimeve të ndryshme që mund të ndodhin në rajon apo edhe në Kosovë.
“Së pari është nevoja që Policia e Kosovës të jetë e barabartë me të gjitha policitë e vendeve të tjera të botës për të ndarë dhe shkëmbyer informacione me qëllim të luftimit të krimeve të ndryshme transnacionale që mund të ndodhin në rajon apo edhe në Kosovë dhe për këtë nevojitet bashkëpunimi policor dhe ndërkombëtar edhe me shtetet e rajonit, por edhe me shtetet e tjera të cilat mund të kenë informacione”, ka thënë ai.
Avdiu ka thënë se sipas vlerësimeve që i ka bërë EULEX-i, Policia e Kosovës ka dalë që është e aftë dhe ka kapacitete për ta menaxhuar kohën kur vendi të anëtarësohet në INTERPOL.
Ai ka thënë se koha deri te momenti i anëtarësimit është e shkurtër, andaj institucionet e vendit, përkatësisht ministritë gjegjëse duhet të bëjnë maksimumin për t’u përgatitur për këtë moment mjaftë të rëndësishëm për Kosovën.
“Institucionet e vendit duhet ta shfrytëzojnë kohën, e sidomos nga dy ministritë ajo e brendshmja dhe e jashtmja që të komunikojnë mes vete dhe mos të ketë qarje siç ka pasur deri më tani ndërmjet tyre sa i përket anëtarësimit në INTERPOL, ku ka munguar një aktiviteti i mirëfilltë ndërmjet tyre për t’i shtuar aktivitetet diplomatike tek shtetet anëtare të Interpolit ose tek ato shtete të cilat mund të hezitojnë për ta votuar Kosovën.
Ai tha se institucionet e vendit nuk kanë bërë asgjë për t’i hequr nga listat e INTERPOL-it ish – ushtarët e UÇK-së, andaj tha se kjo është gjëja e parë që duhet të bëjnë pas anëtarësimit në INTERPOL.
Kosovës i duhen dy të tretat e votave të shteteve prezente anëtare të INTERPOL-it, në mënyrë që të sigurojë një vend në këtë institucion të sigurisë.