Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se serbët e veriut nuk po i duan targat “RKS”, por ato të Serbisë, që në Kosovë janë ilegale. Petkoviq shkroi në Twitter se nga 9 mijë pronarët e veturave në veri, vetëm dy prej tyre i kanë kthyer targat ilegale në RKS.
“Nga videot, Albin Kurti ka kaluar në tekst-mesazhe. Po e ndërron taktikën, por serbët nuk duan targat ‘RKS’, por ato të shtetit serb”, shkroi Petkoviqi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të martën se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat. Ai këto deklarata i ka bërë pas Samitit të Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Prishtinë. Afati për ndërrim të targave ilegale që Serbia i lëshon në emër të qyteteve të Kosovës, duke i shfrytëzuar benefitet që ka ofruar Qeveria, përfundon më 31 tetor.
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në vizitën e tij të fundit në Kosovë, ka kërkuar që afati për targat të shtyhet për 10 muaj, por kjo ka hasur në kundërshtim nga liderët vendorë. Kërkesën e njëjtë e ka bërë edhe Bashkimi Evropian.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se partnerët ndërkombëtarë duhet adresojnë presionin te Serbia, që sipas saj, është burim i tensioneve. Ajo ka thënë se çështja e targave mbi të gjitha është çështje sundimit të ligjit. Osmani ka thënë se bandat ilegale në veri nuk po i lënë serbët t’i konvertojnë targat ilegale në ato të Kosovës.