Ministri e Kulturës e Malit të Zi ka vlerësuar se me rastin e hapjes së Qendrës Kulturore të Serbisë në Pekin, organizatori “ka vënë dorë konkretisht” mbi trashëgiminë kulturore të Malit të Zi “duke e prezantuar si të veten”
“Përmes paraqitjes së lahutarit në hapje të Qendrës Kulturore të Serbisë “Ivo Andriq” në Pekin, i cili ishte i veshur me kostume popullore malazeze, si një veçori identitare skajshmërisht eksplicite, organizatorët e kësaj shfaqjeje kanë vënë dorë në trashëgiminë konkrete kulturore të Malit të Zi, duke e prezantuar si të veten” ka saktësuar Ministria e Kulturës së Malit të Zi.
Në Pekin më 29 nëntor është hapur Qendra Kulturore “Ivo Andriq” e Serbisë, dhe me këtë rast u mbajt një ceremoni që u shoqërua edhe me një program kulturo-artistik. Njëra nga pikët ka qenë edhe ajo muzikore me lahutë nga një i ri i veshur me kostum popullor malazias.
“Fakti se të kënduarit me lahutë është pjesë e trashëgimisë kulturore e shumë popujve të Ballkanit, së paku kërkon një prezantim më të kujdesshëm të kësaj trashëgimie jomateriale, nga ai që u mund u pa me rastin e hapjes së Qendrës Kulturore “Ivo Andriq” të Serbisë në Pekin”, janë shprehur në Ministrinë malazeze të Kulturës. Kjo ministri ka shtuar se fakti tash për tash i regjistrimit të këngës me lahutë në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Jomateriale Kulturore të Njerëzimit, si pjesë e trashëgimisë Kulturore të Serbisë, do të thotë se Serbia me rastin e prezantimit të kësaj trashëgimie traditën e këndimit me lahutë e konsideron të veten sikurse edhe çdo gjë që shkon me të, siç është veshja, domethëniet simbolike dhe burimore si dhe autentiteti i teksteve të këngëve të lahutës, transmeton Koha.net.
“Duke respektuar faktin se këndimi me lahutë i takon edhe trashëgimisë kulturore të Serbisë, gjë që fundja është vërtetuar edhe me vetë regjistrimin në listën e UNESCO-s, konsiderojmë se me rastin e prezantimit dhe promovimit të kësaj trashëgimie jomateriale nuk do të duhej t’u referohej atyre përmbajtjeve dhe elementeve të saj që u përkasin popujve të tjerë, përkatësisht trashëgimisë kulturore të shtetit tjetër”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Kulturës të Malit të Zi.
Kjo ministri thekson se Mali i Zi “duke u nisur nga veprime të tilla në të ardhmen këndimin me lahutë do ta prezantojë si trashëgimi të veten kulturore, që posaçërisht do të lidhet me periudhën pasi të pranohen kandidaturat nga ana e UNESCO-s për Malin e Zi, Shqipërinë, Kroacinë, Kroacinë dhe BeH”.