Serbia provokon serish – fton te rinjtë vullnetare për shërbim ushtarak

Prishtinë | 22 Nën 2023 | 18:50 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Serbisë kanë shpallur konkurs për të rinjtë që duan ta kryejnë shërbimin ushtarak për vitin 2024 – duke provokuar në këtë mënyrë pasi tensionet në Ballkanin Perëndimor janë në rritje viteve të fundit, përfshirë edhe veriun e Kosovës.

Përmes një njoftimi janë ftuar të rinjtë e moshës 19 deri në 30 vjeç që ta bëjnë këtë aplikim.

”Ftojmë të gjithë të rinjtë dhe të rejat e interesuara që do të jenë nga 19 deri në 30 vjeç në vitin 2024, dhe që nuk kanë kryer më parë shërbimin ushtarak me armë, të aplikojnë për shërbimin vullnetar ushtarak, si dhe për trajnimin ushtarak për oficerë rezervë”, thuhet në njoftim.

Këtij njoftimi i jepet konotacion nacionalist, ku thuhet se “kjo tregon patriotizëm ndaj Serbisë”.

Për këtë shpallje të Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë, ka reaguar Octopus Institute, ku thuhet se edhe Kosova duhet t’i ftojë të rinjtë në shërbim ushtarak.

“Qeveria e Kosovës duhet t’i thërrasë rininë e saj që vullnetarisht t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës. Është thelbësore të jesh i përgatitur, veçanërisht në dritën e thirrjes së fundit të Serbisë”, thuhet në reagimine këtij instituti në platformën “X”.

Ditë më parë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kishte deklaruar se “ka informacione që Rusia po planifikon konflikt në Ballkan”.

Po ashtu, sekretari i NATO’s, Jens Stoltenberg, kishte bërë një vizitë në Kosovë dhe Serbi ku kishte kërkuar nga dy shtetet që të jenë të hapura për dialog.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në platformën “X”, të martën për bazat ushtarake të Serbisë për rreth kufirit të Kosovës.

Më 24 shtator një grup terrorist në krye me Milan Radojçiq sulmuan Policinë e Kosovës, ku vranë policin Afrim Bunjakun, tashmë hero i Kosovës. /Gazeta Express

Të ngjashme