Komisioni shtetëror i emëruar nga Qeveria, me anëtarë nga institucionet shtetërore dhe profesionale, ka përpiluar një raport të kulturocidit serb në Kosovë.
Sipas këtij raporti, kulturocidi serb ishte me pasoja tronditëse me 1784 monumente të shkatërruara, 3724 artefakte të grabitura, 175 biblioteka të shkatërruara, 1.7 milion libra shqip të asgjësuar, dhjetëra mijëra dokumente arkivore të monumenteve të grabitura, qindra vepra arti të dëmtuara e vjedhura.
E për këtë raport ka reaguar Beogradi zyrtar, përmes Ministrisë së Kulturës.
Kjo ministri, në një deklaratë për “Kosovo Onllajn”, po mohon se Serbia ka kryer gjenocid kulturor në Kosovë, duke thënë se “ky është një tjetër shtrembërim në serinë e shtrembërimeve flagrante të së vërtetës në përpjekjet e vazhdueshme të Prishtinës për të përvetësuar trashëgiminë kulturore serbe dhe fajin për shkatërrimin e tij sistematik, të cilin vetë e kanë kryer prej dekadash, ia atribuojnë vetë viktimës”.
Ky institucion serb thotë ndër të tjera se raporti për kulturocidin serb është “sulm brutal ndaj trashëgimisë kulturore dhe të vërtetës”, dhe se kryeministri Albin Kurti, sipas tyre, “me siguri udhëhiqet nga parimet e njohura të propagandës fashiste, se një gënjeshtër e përsëritur njëqind herë bëhet e vërtetë dhe se sa më e madhe të jetë gënjeshtra, aq më e besueshme është”.
Kryeministri Albin Kurti tha se raporti që dokumenton gjenocidin kulturor të kryer nga Serbia në Kosovë, dëshmon edhe për shkatërrimin sistematik të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe se Prishtina është e përkushtuar ndaj së vërtetës dhe drejtësisë për, siç thekson, “të gjithë krimet e bëra nga Serbia gjenocidale”.