Sergio Ramos është shumë pranë rikthimit të madh te Sevilla, këtë herë jo si futbollist, por si pronar dhe drejtues i klubit andaluz.
Sipas mediave spanjolle dhe Reuters, ish-kapiteni i Real Madridit ka arritur marrëveshje me aksionarët kryesorë të Sevillas për blerjen e rreth 80 për qind të aksioneve të klubit, në bashkëpunim me grupin investues “Five Eleven Capital”.
Operacioni raportohet të kapë vlerën rreth 450 milionë euro, ndërsa tashmë priten vetëm procedurat ligjore dhe aprovimi final nga La Liga dhe autoritetet sportive në Spanjë.
Edhe pse ende nuk është bërë zyrtare emërimi i tij si president i klubit, raportimet në Spanjë thonë se Ramos do të ketë rol aktiv në drejtimin e Sevillas dhe pritet të bëhet figura kryesore e projektit të ri të klubit.
Për Ramosin, ky është një rikthim emocional te skuadra ku nisi karrierën profesionale para transferimit historik te Real Madridi në vitin 2005.
Sevilla po kalon një periudhë të vështirë sportive dhe financiare, ndërsa tifozët shpresojnë që legjenda spanjolle ta rikthejë klubin në majat e futbollit spanjoll dhe evropian.