Komuna e Prizrenit sërish ka anuluar aktivitetin e prokurimit për projektin e ndërtimit të teleferikut për qasje më të lehtë në Kalanë e qytetit.
Njoftimi për anulim është publikuar në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në të cilin shkruan se ky vendim është marrë për shkak të shkeljeve ligjore me rastin e dhënies së lejes së ndërtimit për këtë projekt, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Komisioni i vlerësimit ka konstatuar se me rastin e dhënies së lejes së ndërtimit për këtë projekt nuk janë respektuar ose janë shkelur tri ligje, të cilat i rregullojnë ndërtimet në Zonën historike. Ato janë: Ligji për Trashëgiminë Kulturore, Ligji për Zonën Historike dhe Ligji për Planifikim Hapësinor”, shkruan në njoftimin për anulim të Komunës së Prizrenit, në rubrikën e informacioneve shtesë.
Komuna e Prizrenit edhe më parë pati anuluar këtë aktivitet të prokurimit, mirëpo Organi Shqyrtues i Prokurimit pati vendosur kundër anulimit të prokurimit për teleferikun dhe lëndën e pati kthyer në rivlerësim.