Punëtorët e larguar nga KEDS-i kanë protestuar para Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, me kërkesë që të merret vendim për rikthimin në vendet e tyre të punës, raporton Ekonomia Online.
Me pankarta si “Gjyqtarë pse po heshtni”, “KEDS po e sfidon gjyqësorin” , ata po kërkojnë rikthimin e tyre në vendet e punës në KEDS.
Përfaqësuesi i punëtorëve të larguar nga Distrikti i Prishtinës, Remzi Demaj, tha se gjendja e tyre ekonomike është e rëndë si pasojë e largimit nga puna.
“Kërkojmë nga Gjykata e Apelit dhe ajo Themelore të marrin vendimin ekzekutiv për kthimin e punëtorëve në punë. Gendja ekonomike e tyre është tejet e vështirë, tash e dy vjet e gjysmë jemi në rrugë pa të ardhura, gjithsej 78 punëtorë të larguar. Prej KEDS-it nuk kemi asnjë përgjigje”, ka thënë Demaj, raporton EO.
Gëzim Jëlliqi nga distrikti i Prizrenit tha se pavarësisht protestave, KEDS-i nuk po reflekton.
“Edhe sot po protestojmë, KEDS-i nuk po reflekton ndaj punëtorëve. Ne po duhet me protestu, prapë KEDS-i nuk po reflekton”, tha ai.
Musa Nimani nga distrikti i Mitrovicës tha se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“S’kemi me u ndal hiç. E kemi për kafshatën e bukës, kemi me protestu në mënyrë paqësore. Do të dalim edhe para Ambasade le ta marrin vesh edhe ndërkombëtarët se si funksionon ligji në Kosovë”, tha Nimani.
Ditë më parë punëtorët e larguar nga KEDS-i kanë dorëzuar kallëzim penal në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj menaxhmentit të kësaj kompanie.
Ata thonë se dënimi prej 10,000 euro që i është caktuar KEDS-it është një dënim qesharak. Sipas tyre, arsyeja kryesore e këtij largimi është se kanë hy të tjerë punëtorë në KEDS mbi baza partiake.