“S’është koha për njohje nga Serbia”, Çitaku: Pasojë nga politika e papërgjegjshme dhe amatoreske e Kurtit dhe Osmanit

Prishtinë | 04 Jan 2023 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

“Përderisa qëllimi i fundëm ishte njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen”, ishte deklarata e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenir në një intervistë zhvilluar me gazetarin e The Economist, Tim Judah.

Por, për këtë deklaratë të Hovenier, nënkryetarja e PDK-së po e fajëson Kryeministrin dhe Presidenten e vendit.

Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, Çitaku tha se Qeveria dhe Presiendetja duhet të sqarojnë se si kanë arritur në këtë situatë.

Sipas saj, politika e papërgjegjshme dhe amatoreske e tyre ka sjellur këtë pasojë.

“Qeveria dhe Presidentja duhet të sqarojnë se si kemi arritur në këtë situatë. Politika e papërgjegjeshme dhe amatoreske ka pasoja. Kjo duket të jetë një nga to”, tha Çitaku për Gazetën Online Reporteri.net.

Një reagim sot gjatë ditës pati edhe nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i cili tha se Qeveria duhet t’i tregoj popullit se katandisur punën që e kanë bërë ShBA-në të deklarojnë se nuk është është koha për njohje nga Serbia.

“Qeveritarët duhet t’i tregojnë popullit ku e kanë katandisur punën që e ka shtyrë SHBA-në — aleatin kryesor Kosovës — të deklarojë se nuk është koha për njohje nga Serbia. Çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në që njohja reciproke nuk është më në qendër?!”, tha Hoti.

Se niveli i mosbesimit mes palës kosovare dhe asaj serbe nuk ka qenë kurrë më i lartë, e kishte thënë edhe ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak.

“Tensionet nuk kanë qenë kurrë më të larta në 20 vjet; Mosbesimi nuk ka qenë kurrë më i thellë”, citohet të ketë thënë Lajçak në një bisedë me njohësin e çështjeve të Ballkanit, Tim Judah.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka thënë se Serbia vazhdon të jetë e painteresuar për një kompromis.

Madje ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e dëshiron ndarjen dhe se dëshiron kthimin në kohë e flet sikur është “në kërkim të makinës së kohës… herë dëshiron të kthehet më 1999 e herë më 2007 (para shpalljes së pavarësisë së Kosovës), por ju e dini… treni është larguar nga stacioni. Nuk mund të kthehemi më atje”, citohet të ketë thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale, megjithëse konfirmoi se në muajin janar të vitit 2023 do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimin e radhës në Bruksel. Kurti, thekson se Serbia më shumë është e interesuar për shkaktimin e krizave në të cilat mandej shfaqet vet si faktor për t’i zgjidhur ato.

Por, Bashkimi Evropian ende nuk ka datë për rifillimin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Zëdhënësja e BE-së, Zoi Muletier në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se “nëse do të ketë një takim do ta bëjnë publik kur të është e përshtatshme”.

Të ngjashme