Sevilla paralajmëron masa pas humbjes së thellë nga Barcelona

Prishtinë | 24 Pri 2018 | 15:52 | Nga

Presidenti i Sevillas, Jose Castro, ka thënë se do të merren masa pas humbjes turpëruese që skuadra e tij pësoi të shtunën mbrëma në finale të Kupës së Spanjës nga Barcelona.

Barcelona fitoi ndeshjen e zhvilluar në “Wanda Metropolitano” në Madrid me shifrat 5:0, duke ngritur Kupën e Spanjës për herë të katërt rresht dhe mediumet spanjolle kanë raportuar se trajneri italian i Sevillas, Vincenzo Montella, është në rrezik të shkarkohet, kur krerët e klubit të takohen të martën.

“Si president më duhet t’u kërkoj falje gjithë tifozëve të Sevillas”, ka thënë Castro të hënën. “Bordi do të marrë masat që i vlerëson të nevojshme për të tentuar të ndihmojë skuadrën në këto pesë ndeshjet e fundit në La Liga që kemi, për të arritur kualifikimin në Evropë. Ne do të shohim se çfarë vendimesh do të merren, por është një moment për të mbajtur qetësinë dhe të mendojmë se çfarë është më e mira për klubin”.

Sevilla zë vendin e shtatë në La Liga me 48 pikë nga 33 ndeshje. Është tri pikë prapa Villarrealit që zë vendin e gjashtë dhe të fundit që kualifikon në Evropë nga kampionati spanjoll.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme