Treguesit e transportit detar, për anijet e linjave të pasagjerëve, jahteve, velierave etj, shënoi një rritje të konsiderueshme gjatë këtij sezoni turistik, falë efikasitetit dhe masave të marra gjatë sezonit për lehtësimin e lëvizjes dhe ankorimit të mjeteve detare në portet e vendit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri publikoi shifrat në lidhje me transportin detar të vitit 2018 krahasuar me vitin 2017.
Gjatë periudhës janar-gusht 2018 në portet e vendit erdhën 2420 anije të linjave për pasagjerët, kundrejt 2306 që u regjistruan në vitin 2017.
Numri i jahteve, velierave dhe anijeve turistike gjatë kësaj periudhe arriti në 2748 kundrejt 2214 që regjistroi në vitin 2017.
Ndërsa numri i pasagjerëve të imbarkuar shënoi një rritje në 592452 persona, kundrejt 548560 personave në vitin 2017 dhe numri i personave të disbarkuar shënoi shifrën e 592779 personave në 2018 krahasuar me një vit më parë që ishte 555096 persona, transmeton ATSH.
“Rritja e treguesve të transportit detar konfirmon efikasitetin e masave të marra gjatë sezonit turistik për lehtësimin e lëvizjes dhe ankorimit të mjeteve detare. Shtimi i ndjeshëm i numrit të jahteve, velierave dhe anijeve turistike, një lajm i mirë për të ardhmen e turizmit në Shqipëri”, citohet ministri Gjiknuri.
Sipas INSTAT, vetëm gjatë muajit Qershor 2018, transporti detar i pasagjerëve është zgjeruar ndejshëm duke shënuar rritje dyshifrore.
Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare në Qershor 2018 arriti në 133.037 pasagjerë, ose 10.0% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.
Në gjashtëmujorin e parë 2018, numri i përgjithshëm i atyre që kanë udhëtuar me linjë detare shënoi 445.588 pasagjerë.