Miliona euro borxhe i kanë qytetarët e bizneset ndaj katër komunave të rajonit të Prishtinës, që janë grumbulluar ndër vite. Shifra ka arritur në 14 milionë e 152 mijë e 963 euro.
Arkëtimi i tyre është konsideruar si sfidë për këto komuna. Kësaj liste i prin Komuna e Podujevës. Vlera e të arkëtueshmeve në fund të vitit 2017, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ka kaluar 7-milionëshin, shkruan sot Koha Ditore.
Podujeva mbi 7 milionë euro të pambledhura
“Të arkëtueshmet përbëhen kryesisht nga: tatimi në pronë, taksa në firmë, hapësirat publike dhe qiraja komunale. Komuna (e Podujevës v.j.), nuk ka arritur t’i arkëtojë të gjitha borxhet për të cilat ka ofruar shërbime, në mungesë të politikave adekuate dhe masave konkrete. Vlera e të arkëtueshmeve në fund të vitit 2017 kishte arritur në 7.270,304€”, thuhet në raportin vjetor të ZKA-së për këtë komunë.
Ai ka gjetur se prej mostrave të testuara të llogarive të arkëtueshme (LlA) nga tatimi në pronë ka pasur vonesa të konsiderueshme të inkasimit të të arkëtueshmeve, të cilat figuronin që nga viti 2002.