Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka bërë një apel për prindërit dhe personelin arsimor që të kenë kujdes me nxënësit pasi kohëve të fundit është rritur numri i nxënësve të lënduar si pasojë e një loje e quajtur “Sfida e Supermenit” në TikTok.
Në njoftimin dërguar medieve, kryetari i Lipjanit ka kërkuar kujdes edhe nga vetë nxënësit, pasi sfida konsiderohet tejet e rrezikshme.
“Ditëve të fundit jemi informuar për rritjen e numrit të nxënësve, fëmijëve të lënduar si pasoj e një lojë të re dhe të rrezikshme që është shfaqur në platformën TikTok, duke rezultuar në lëndime fizike për shumë adoleshentë. Loja quhet Sfida e Supermenit dhe përfshin hedhjen me njërën dorë përpara, duke imituar personazhin Superman. I bëjmë thirrje të gjithë prindërve: Kujdesuni për përmbajtjet që fëmijët ndjekin në platformat sociale dhe ndihmojini të kuptojnë pasojat e mundshme fizike dhe emocionale që mund të shkaktojnë këto lojëra”, thuhet në njoftim.
“Mesazh për fëmijët dhe adoleshentët: Sfidat e tilla jo vetëm që dëmtojnë shëndetin tuaj, por mund të rrezikojnë edhe jetën tuaj. Mos lejoni që presioni i rrjeteve sociale t’ju shtyjë drejt aktiviteteve të rrezikshme. Jeta dhe mirëqenia juaj janë më të rëndësishme. Apelojmë për vigjilencë dhe ndërgjegjësim ndaj këtyre fenomeneve dhe lusim personelin arsimor të shtoj kujdesin që fenomene të tilla mos të jenë të pranishme në shkollat. Shëndeti dhe siguria e fëmijëve tanë janë prioritet”.