Viti i parë i pasluftës e gjeti Kosovën në gjendje të mjeruar të shëndetit mendor të popullatës rëndë të traumatizuar pas okupimit dhjetëvjeçar, luftës, gjenocidit e pastrimit etnik. Kjo gjendje e rëndë u dokumentua me dy hulumtime shkencore të realizuara në shtator 1999 dhe maj 2000 të publikuara në revistat prestigjioze botërore, JAMA dhe BMJ, në të cilat kam qenë bashkëautor. Të dhënat dramatike ndikuan që institucionet vendim-marrëse të angazhohen maksimalisht në zbatimin e planit strategjik të shëndetit mendor të dizajnuar nga grupi multidisciplinar vendor me mbështetje të OBSH. Si rezultat, brenda pesë viteve u realizua reforma më përmbajtësore e shërbimeve në shëndetësinë Kosovare të pasluftës, me themelimin e shërbimeve të shëndetit mendor të mbështetura në komunitet dhe të përqëndruara në reziliencën e familjeve të të sëmurëve psikiatrik, model ky unik i shërbimeve të shëndetit mendor të nivelit europian që qartë i tejkalon shërbimet e ngjashme në rajon. Si rezultat i kësaj reforme, në mes të tjerave u ndërtuan nëntë qendra të reja shëndetit mendor dhe nëntë shtëpi për integrim të të sëmurëve kronik psikiatrik; u themelua departamenti i psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, dhe u ndanë si të veçanta shërbimet psikiatrike nga ato neurologjike. Tërë procesi reformues u dokumentua me disertacionin tim të doktoratës të realizuar në partneritet të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Illinoisit në Chicago. Ky projekt i suksesshëm reformues mundësoi tejkalimin e suksesshëm të krizës më të madhe psikosociale në Europën e pasluftës.
Aktualiteti i gjendjes së shëndetit mendor të popullatës së Kosovës, lenë shumë për të dëshiruar ndërkaq hulumtimi i saj shkencor paraqet domosdoshmëri urgjente. Manifestimet e përditshme të dhunës në rritje, individuale, familjare, dhe të organizuar grupore, janë bërë zakonshmëri me të cilën me shqetësim po bashkëjetojmë duke u traumatizuar rëndë nga rasti në rast. Nga përvoja personale klinike dhe bashkëbisedimet e shumta me kolegë vlerësoj se qytetarët e vendit çdo ditë e më shumë janë duke manifestuar simptoma dhe shenja të çrregullimeve e sëmundjeve psikiatrike si rezultat i shpenzimit të energjive të tyre përballuese ndaj sfidave të kohës, veçanërisht në rrethanat rënduese psikosociale pas pandemisë Covid 19. Ndër këto sfida kisha veçuar sfidat me të cilat ballafaqohet familja, njësia kryesore mbështetëse e shoqërisë Kosovare nëpër shekuj dhe shtylla e shërbimeve tona të shëndetit mendor në komunitet. Struktura familjare këto ditë është nën goditje të përditshme të llojeve të ndryshme të ankthit, kryesisht atij të separacionit dhe humbjes së dashurisë së objektit për shkak të shpërbërjes së familjeve si rezultat i emigracionit e divorceve, si pasojë ka ardhë deri te ndryshimi i shpejtë e traumatik i strukturës, organizimit, komunikimit dhe roleve brenda familjes.
Ministria e Shëndetësisë, SHSKUK e dikasteret e tjerë relevante të qeverisë janë duke treguar mungesë të ndjeshmërisë, vendosmërisë e vizionit në adresimin e këtyre sfidave komplekse. Si argumente që ilustrojnë këtë konstatim po i përmendi disa situata të papranueshme dhe potencialisht të dëmshme në shumë aspekte relevante, të cilat po zgjasin qe një kohë:
Janë këto vetëm disa nga shembujt dhe zhvillimet që flasin se qeveria e vendit duhet në mënyrë urgjente ta vëjë shëndetin mendor të popullatës dhe shërbimet përkatëse shëndetësore në prioritetet e saja. Para pak kohësh në botimin tematik të gazetës “Shneta” kam kërkuar fillimin urgjent të punës në strategjinë e re të shëndetit mendor që përveq avansimit të mëtutjeshëm të kapaciteteve infrastrukturore e njerëzore në Shërbimin profesional të shëndetit mendor në komunitet si dhe shërbimet psikiatrike në SHSKUK, do të adresojë edhe nevojën për dizajnimin e planit të veprimit dhe intervenimeve të domosdoshme për ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore në shërbimet spitalore dhe jashtëspitalore të shëndetit mendor, si dhe parandalimin e erozionit të mëtutjeshëm të strukturës familjare dhe ndërprerjen e menjëhershme të dhunës në familje, dhunës ndaj gruas e vajzave, si dhe bullizmit në shkolla.
(Autori ka qenë udhëheqës i reformës së shërbimeve të shëndetit mendor 2000 – 2005)