Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka mbajtur një mbledhje, ku në rend dite ishte shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për vitin 2015.
Projektligji për regjistrimin e popullsisë në katër komunat e veriut të Mitrovicës ka mbetur në sirtarët e Kuvendit të Kosovës dhe assesi nuk po gjendet kohë për shqyrtimin dhe miratimin.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Administratë Publike, Zenun Pajaziti tha se si Komision kanë pranuar një dokument për regjistrimin e popullsisë në veri, por kërkoi nga kryeshefi i ASK, Isa Krasniqi që të sqaroi se deri ku ka shkuar ky proces dhe çfarë përmban, mbase është edhe kërkesë e BE, meqë janë sponsorizuar.
Krasniqi ndër tjera përmendi edhe regjistrimin e popullsisë në katër komunat veriore, komuna në të cilën nuk kishin marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë që u mbajt në tërë territorin e Kosovës. Tutje shtoi se sfidë e ASK-së mbetet mungesa e stafit dhe mangësitë buxhetore.
Ai tha se Qeveria e Kosovës e ka proceduar në Kuvend këtë projektligj, i cili është i njëjtë sikur ligji për regjistrimin e popullsisë në Kosovë, por ky për Mitrovicën e veriut, ku është të përfshirë edhe regjistrimi bujqësisë.