Sfishta: Në konvikte ofrohen kushte për mbrojtje nga Covid-19, kontrollet nga mjeku s’bëhen qe një vit

Prishtinë | 19 Pri 2021 | 13:56 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me lirimin e masave anti-Covid nga Qeveria, është hapur edhe Qendra e Studentëve në Prishtinë, e cila sipas zyrtarëve të kësaj qendre ofron siguri për studentët  për mbrojtje nga Covid-19, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i kësaj qendre Fatmir Sfishta, në një intervistë për EO thekson që studentët janë më të sigurt dhe më të mbrojtur në konvikte.

Sipas tij, shfrytëzimi i dhomave nga një student bën që siguria të jetë më e madhe, ndonëse me një buxhet më të vogël dhe me kapacitete më pak.

Ai tregon se pranimit  më i vogël i numrit të studentëve ka pasur efekte edhe në buxhet, por që deri tash nuk kanë pasur probleme.

“Neve kapacitetet i kemi për 4 000 studentë. Për momentin i kemi rreth 1600 studentë dhe automatikisht kjo afekton në buxhetin e të hyrave tona vetanake, flas për të hyrat monetare. Mirëpo deri më tani nuk kemi probleme me buxhet, për vitin e ardhshëm duhet të shohim se si do afektojë më tutje”.

“Besoj që studentët ndihen më të mbrojtur në Qendrën e Studentëve sesa të shkojnë në ambientet e tyre familjare, ose në ambiente të tjera sepse një student e shfrytëzon një hapësirë një dhomë, shkon në mensë e merr ushqimin me vete dhe kontaktet me numër të madh të studentëve të tjerë i ka të limituara. Kështu që besoj që studentët janë shumë të sigurt edhe për përhapje edhe për mbrojtje nga Covid-19”.

Ai tregon se që nga fillimi i viti akademik e deri më tash i kanë pasur vetëm dy raste me Covid.

Sfishta theksoi se mbyllja e konvikteve nuk është mirëpritur nga studentët.

“Ne kemi qenë të obliguar që ta respektojmë atë vendim ku studentët kanë shkuar nëpër shtëpitë e tyre apo të bëjnë zgjedhje tjera, kjo nuk u ka ardhur mirë studentëve sepse tash kanë një afat të provimeve, afati i prillit dhe ka pasur disa reaksione”, tha Sfishta.

Ai thekson që njëjtë sikur gjatë fillimeve të pandemisë ku ka qenë rregullorja që të vendoset njëstudent nëpër dhoma, sërish do vazhdoj po i njëjti rregull edhe pas hapjes së sotme të konvikteve.

“Faktikisht kur është hapur qendra e studentëve, konviktet e menza për nevojat e studentëve gjatë këtij viti akademik 2020-2021, gjitha këto rekomandime që i kemi ndërmarrë i kemi bërë në bashkëpunim me institutin ku kanë vizituar të gjitha hapësirat dhe kanë dalë me një vizë të rekomandimeve ku ne i kemi respektuar, një ndër to ka qenë që një student të vendoset në dhomë përpos rasteve familjare, kur motra me motër janë vendosur në një dhomë. Tash e tutje nga sot ne vetëm vazhdojmë aty ku i kemi lënë para dy javësh dhe gjitha masat do respektohen deri në fund të vitit akademik”, tha mes tjerash ai.

Pas dy javë qëndrimi jashtë kësaj qendre të gjithë studentë janë kthyer aty ku kanë qenë, pa ndonjë kontroll paraprak nëse mund të jenë të infektuar me Covid-19.

Por, drejtori i Qendrës së Studentëve thotë se nuk mund t’i detyrojë studentët të bëjnë teste, ndërsa që s’kanë mjekë për ti kontrolluar për momentin

“Unë nuk mund ti obligoj studentët që të bëjnë teste, është në dorën e tyre mirpo shpresoj shumë që të mos ketë rritje të rasteve me infeksione, shpresoj shumë por jemi të gatshëm dhe në rast që do ketë studentë që do jenë të infektuar kemi edhe planin se si do reagojmë në ato momente, dhe nëse është i infektuar shkon për trajtim dhe pas kalimit të Covidit kthehet përsëri në dhomën e tij. Qendra e studentëve e ka një Qendër të Mjekësisë Familjare këtu, mirëpo ka më shumë se një vit që kryen testime për identifikuar popullatën me Covid, dhe tash për tash nuk ka mjek që kujdeset direkt për studentë”, deklaroi Sfishta.

Ai thotë që një mbyllje e sërishme e konvikteve nuk do ishte e mirë, duke shpresuar që të mos ketë një situatë të tillë prapë.

Të ngjashme