Miratimi i Projektligjit për formimin e Gjykatës Komerciale nga Qeveria e Kosovës po konsiderohet hap i duhur, mirëpo kërkohet që kjo gjykatë të mos ndikohet nga politika, kështu tha në një prononcim për Ekonomia Online, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.
Shahini tha se Gjykata Komerciale duhet të përmbushet me njerëz profesionistë nga fusha politike, ekonomike dhe juridike. Ai tha se me krijimin e Gjykatës Komerciale do të krijohet siguri për investitorët.
“Qeveria ka bërë një punë të mirë për miratimin e këtij Projektligji për themelimin e Gjykatës Komerciale për të cilën tenton që ta bënë , ta ndryshon imazhin e vendit sepse e kaluara ka treguar se performancat pikërisht zgjedhjeve të kontesteve ekonomike biznesore te operatorëve ekonomik kanë qenë të dobëta në të kaluarën përmes Gjykata Themelore janë prit 7 deri në 15 vite zgjedhja e kontesteve ekonomike dhe tash Gjykata Komerciale do të duhet të përmbushet me profesionalistë qoftë politik, ekonomik dhe juridik për të dhënë shembull në zgjidhjen e kontesteve por nuk duhet të jetë e ndikuar nga politika prandaj kjo është një hap i pritur dhe një veprim i duhur i institucioneve shtetërore të Kosovës duke dhënë një mesazh të promovimit të vlerave për siguri të investimeve”.
“Kjo tregon se sa efikas duhet të jetë një institucion i pavarur pa ndikim politik, shumë investitorë edhe të huaj dhe vendor kanë fituar konteste arbitrare në mungesë të profesionalizmit të hartimit të kontratave mes operatorëve ekonomik dhe shteti jonë tash i ka borxh mbi 300 milionë euro dhe do të duhet ti paguaj kontestet jo profesionale të hartuara nga njerëzit jo profesional. Mendoj që institucionet e vendit do të duhet që secili nënshkruesi marrëveshjeve për punë dhe shërbime do të duhet të merr përgjegjësinë e vet dhe jo të paguhen kontestet nga taksa paguesit”, tha Shahini për EO.