Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se partitë politike, në këtë fushatë zgjedhore, janë duke dhënë premtime të kota, dhe se programet e tyre nuk e kanë prioritet zhvillimin ekonomik.
Sipas Shahinit, qytetarët më shumë janë duke besuar në programe ideologjike dhe kjo është shumë e dëmshme për të ardhmen e vendit.
“Partitë politike të cilat po garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit pothuajse janë me premtime të kota dhe pa programe ekonomike, zhvillimore të cilat ne do të duhej t’i besonim dhe t’ua japim votën… Jemi duke besuar në ideologji dhe jo në programe. Ne vlerësojmë që partitë politike nuk janë në garë për të ofruar qytetarëve ndonjë program zhvillimor, por janë në garë se cila po ofron ideologji dhe premtime të kota pa mbështetje”.
“Kjo është e dëmshme për të ardhmen e vendit”, thekson kreu i AKB-së.
Ai ka folur edhe për tubimet elektorale të subjekteve politike gjatë kohës së fushatës. Shahini e ka konsideruar të padrejtë dënimin e qytetarëve për shkeljen e masave anti-Covid, derisa subjektet politike i shkelin hapur në tubime, megjithëse deklarativisht thërrasin për zbatimin e masave.
“Qytetarët e vendit po dënohen padrejtë kurse në tubime elektorale në tubime parazgjedhore jo që nuk dënohen por as partitë politike nuk po dënohen dhe është e padrejtë dhe është në kundërshtim me ato që janë proklamuar nga institucionet dhe është selektive ndaj qytetarëve që nuk janë partiakë”.
Shahini nuk beson që do të ketë mbyllje pasi që ka thënë se Qeveria në detyrë po ofron ndihmesa për bizneset.
“Qeveria aktuale nuk ka pretendime të mbyll biznese dhe ekonomi, përkundrazi po ofron zgjidhje të vazhdueshme qoftë në faljen e ndëshkimeve, në shtyrjen e kamatave dhe borxheve, ofrimin e shumë fondeve siç janë ato të DFC-së, dhe nuk e besoj që mund të ketë ndonjë vendim për të marr drejt mbylljes së ekonomisë vetëm në raste ku vendi jonë është në një situatë të rëndë pandemike e që statistikat e sotme tregojnë që ne kemi rënie të infektuarve”.
Ndërsa, gjatë së hënës kryeministri në detyrë Avdullah Hoti kishte thënë se në muajin shkurt është rritur qarkullimi për bizneset krahasuar me janarin e vitit 2020.
E, kjo për Shahinin është e mundshme pasi që bizneset janë munduar ta zënë ritmin e humbur.
“Është e mundshme dhe kjo është reale për shkak se bizneset po mundohen ta zënë ritmin e humbur dhe qytetarët e vendit janë dhe po tentojnë që me çdo kusht që ato humbje që i patëm ne pranverë të vitit të kaluar t’i zënë dhe ishte në futje qarkullimi i shumë mjeteve mbështetëse edhe për qytetarët trusti, këto ishin mjete qarkulluese dhe kjo e ka rrit nivelin e konsumit qarkullimit të brendshëm dhe kjo e ka rrit nivelin e të hyrave karshi vitit të kaluar”.