Shahini: Shumë afaristëve kosovarë u kanë dështuar bizneset nga refuzimi i vizave

Prishtinë | 04 Jan 2023 | 20:08 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, deklaroi se shumë afaristëve kosovarë u ka dështuar fillimi i një biznesi, për shkak se u janë refuzuar vizat.

Madje, Shahini tregoi se shumë prej tyre u janë refuzuar vizat për çështje shumë banale.

“Janë refuzuar shumë viza të afaristëve kosovarë, të cilët ata kanë pasur për biznesin. E në mungesë të vizave, ata kanë humbur edhe biznesin. Kjo është një nga sfidat që në mungesë të qarkullimit të lirë të bizneseve, ata nuk po gjejnë tregje dhe nuk po gjejnë partner për t’i plasuar, apo për t’i blerë produktet e veta. Ne e kemi bërë një analizë në muajin tetor. Në atë kohë, mbi 20 mijë biznese që ne kemi pasur evidenca që ata kanë aplikuar në forma të ndryshme, në ambasada të ndryshme për të marrë viza. Prej tyre 25 deri në 30 përqind kanë marrë viza, gjë që të tjerët janë refuzuar për çështje shumë banale, kinse mungesë të një dokumenti, mungesë të ndonjë sigurimi, mungesë të ndonjë ftese, gjë që nuk kanë pasur lidhje me biznese” deklaroi Shahini në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Tutje, Shahini vlerësoi se Kosova nuk ka pasur ndonjë strategji për ta kaluar krizën ekonomike në vend, duke filluar nga rritja e çmimeve, e pastaj të tjerat.

“Agresioni rus në Ukrainë çrregulloi tregjet globale dhe ato të Kosovës. Kosova vuajti nga rritja e çmimeve, e që Kosova nuk pati strategji se si të kalohet kjo krizë. Kosova pati një rritje ekonomike plus krahasuar me disa shtete, ajo është një minus i madh krahasuar me vitin 2021, sepse në atë kohë rritjen ekonomike e kemi pasur 10.7, kurse vitin 2022 e patëm dikur rreth 3 përqind. Kjo zbërthehet edhe me raportin e Bankës Botërore, ku thotë se rreth 23 përqind të qytetarëve, jetojnë në varfëri me nga 2 euro brenda 24 orëve. Kosova nuk ka kapacitet ekonomik prodhues për t’iu përballur kërkesave konsumatorëve kosovarë, e lëre më të huajve”, tha më tej Shahini.

Njëherit, Shahini theksoi se vitin paraprak, rreth 50 mijë qytetarë e kanë lënë Kosovën, e që shumica prej tyre veç kanë qenë në punë.

“Neve po zbrazet Kosova nga profesionalistë të vendit, kjo për shkak të krizës dhe pagës së vogël”, tha tutje ai.

Të ngjashme