Shahini: Veprimet e MINT-it, tendencë për frikësim të bizneseve

Prishtinë | 03 Gus 2023 | 15:11 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, e sheh si veprim për t’i frikësuar bizneset publikimin nga MINT të emrave të 48 kompanive, të cilat thuhet se janë regjistruar me emërtime kundërkushtetuese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), raporton Ekonomia Online.

Nga ana tjetër, sspas Shahinit, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duhet të ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të ARBK-së, nëse konstatohet se kanë lejuar biznese të regjistrohen në këtë formë.

“Publikimi i 48 kompanive të cilat pretendohet nga Ministria dhe ARBK-ja se janë anti-Kushtetuese, është frikësim i shumë bizneseve që nuk e dinë as vetë se si janë regjistruar në kohërat e mëhershme. Prandaj duhet një studim dhe një hetim për ta parë vërtet se çka është anti-Kushtetuese këtu. Anti-Kushtetuese e shoh që vetë zyrtarët e MTI-së së atëhershme edhe të ARBK-së e kanë shkelë Kushtetutën, kur kanë lejuar që këto biznese të regjistrohen këtë formë”.

“Kemi shumë biznese në grupin prej 48 që janë shqiptarë e kanë pasaporta të huaja dhe e kanë regjistruar biznesin si investitorë të huaj këtu. Bie fjala me pasaporta të Malit të Zi dhe ky shtet shkruan në dokumente që vërtet është në gjuhën serbo-kroate e që është zyrtare, që nuk e shkel Kushtetutën”, u shpreh Shahini, teksa thotë se këto forma të shtetit, tregon edhe pakënaqësi ndaj bizneseve dhe investitorëve.

“Është lehtë shteti të linçojë dhe të frikësojë biznese por pikërisht për këtë kemi pakënaqësi të mëdha të bizneseve, të investitorëve dhe një pakënaqësi publike e cila së fundmi është ngritur kundër vetë institucioneve dhe Ministrisë dhe Tregtisë dhe ARBK-së për mbyllje dhe marrje të licencave të bizneseve. Duhet t’u jepet afat dhe kohë që t’i përmirësojnë”, thotë ai.

Shahini ka përmendur edhe rastin e mediumit Klan Kosova, për të cilin thotë se është dashur t’i jap kohë t’i përmirësojë dokumentacionin.

“Së fundmi, sidomos për mediumin Klan Kosova, të gjithë e kanë marrë si hakmarrje dhe kjo është një e drejtë e shtetit që t’i nxisë bizneset për të përmirësuar dokumentacionin nëse ka shkelje por jo për të marrë licencë. Duhet dhënë afat, nuk duhet Qeveria të marrë vendime befasuese, të shpejta para afateve ligjore, duhet të respektohet secila gjuhë që është zyrtare në Kosovë, duhet respektuar Kushtetuta, jo vetëm nga pala kërkuese por edhe nga pala vendimmarrëse”, thotë tutje Shahini.

Shahini ka ngritur dilema se çfarë do të ndodh me bizneset serbe, pasi në listën prej 48 bizneseve të shenjëstruara me licencim anti-kushtetues, figurojnë edhe kompani serbe. Për këta të fundit, Shahini thotë se me të drejtë dokumentet i kërkojnë në gjuhën e tyre.

“Në këtë drejtim, Qeveria e vendit do duhet t’u japë afat kohor të gjitha bizneseve që kanë bërë sipas tyre shkelje kushtetuese. Ne kemi edhe kompani serbe aty që nuk do ta përmirësojnë sepse e kanë të drejtën e tyre dhe Qeveria e Kosovës nuk guxon që t’ua tërheq atyre për shkak se ata e kërkojnë dokumentin në gjuhën e tyre. Prandaj, veprimet e fundit janë frikësim për bizneset, pavarësisht a janë vendore apo të huaja dhe neve do duhej të krijojmë klimën më të përshtatshme, më motivuese e më mbështetëse për ekonominë vendëse, në mënyrë që të rriten investimet”, thotë Shahini.

Të ngjashme