Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka vizituar fabrikën e prodhimit të roletave “Ambrella” në Kumanovë, e krijuar nga Sami Mustafa, raporton Ekonomia Online.
Sami Mustafa, pronari i kësaj fabrike, falënderoi Shahinin për vizitën, ndërsa shpjegoi historikun e fabrikës.
“Kam nderin të mirëpres Agim Shahinin. Jemi të privilegjuar që kemi një vizitë të tillë. Shkurtimisht gjatë vizitës e shpjeguam se si bëhet prodhimi i roletave; përndryshe, që nga viti 1997 si kompani e pavarur jemi specializuar në këtë drejtim dhe lëndën e parë e kemi nga Zvicra. Kemi teknologjinë më të sofistikuar në rajon. Të falënderoj që keni gjetur kohë për të na vizituar”, tha ai.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se shqiptarët i bashkon biznesi dhe tregu, ndërsa nuk i ndajnë kufijtë.
“Faleminderit i nderuar Sami Mustafa dhe kompania në Kumanovë. Kompani e veçantë për prodhimin e roletave, dhe lënda e parë është nga Zvicra, Italia, dhe gjithë kjo bëhet në këtë qytet që e rrit vlerën e shtuar dhe eksportin. Shpresoj që kjo kompani t’i dërgojë prodhimet në Kosovë dhe Kosova ta rrisë prodhimin e roletave më cilësor. Kosova dhe Maqedonia kanë tregun e përbashkët, por shqiptarët kudo që janë kanë një treg të përbashkët dhe jemi me fat që na ndajnë kufijtë, por jo tregun dhe ekonominë. Ekonomia është e përbashkët për të gjitha këto”, tha Shahini.



