Kosova dhe Serbia kanë arritur të pajtohen për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë
Delegacioni i Kosovës dhe ai serb takimin e kanë zhvilluar në Bruksel.
Ndërkaq lajmin gjatë ditës e ka bërë të ditur i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për këtë dialog, Mirosllav Lajçak përmes një postimi në Tëitter duke e quajtur këtë si hap të madh përpara.
Lajçak ka bërë të ditura detajet e udhërrëfyesit për zbatim të marrëveshjes.
Ai ka zhvilluar fillimisht takime bilaterale me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shef i delegacionit të Kosovës për dialog, e më pas takim të njëjtë edhe me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.
Në lidhje me këtë marrëveshje për InfoSot foli eksperti e sigurisë në Kosovë, Drizan Shala.
Ai tha se ky dokument që është nënshkruar sot ndërmjet dy vendeve nuk është marrëveshje.
“Dokumenti që është nënshkruar sot, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ( Udhërrëfyesi), nuk është marrëveshje, por vetëm konfirmon zotimin e të dyja palëve për zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015”, tha Shala.
Sipas tij, dukumenti nuk mund të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.
“Andaj, ky dokument nuk mund të ratifikohet në Parlament, sepse siç e thashë është vetëm një udhërrëfyes”, shtoi ai.
Shala tha se është është e çuditshme se si nuk është arritur të ndryshohet as edhe një germë e vetme nga marrëveshjet bazë të vitit 2013 dhe 2015.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialog me Serbinë, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes me palën serbe lidhur me çështjen e energjisë.
Bislimi në një postim në Twitter, ka shkruar se me këtë marrëveshje tani e tutje edhe komunat veriore të Kosovës do të faturohen për energjinë që shpenzojnë.
“Më në fund kemi miratuar Udhërrëfyesin e implementimit për marrëveshjet për energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi.
Qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut , kryesisht serbë nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.
Kujtojmë se Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshja për cështjen e nergjisë gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013.
Nënshkruesit e marrëveshjes kanë qenë ish-kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe Ivica Daciq.
Kjo marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.
Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por nuk është zbatuar asnjëherë.