Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala të premten ka vizituar Qendrën e Inovacionit në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin e Prishtinës, projekt ky i përkrahur nga MIN.
“Ekipeve inovative u duhen vegla dhe infrastrukturë për të transformuar idetë e tyre prandaj kam zgjedhur që vizitën e parë ta bëj pikërisht tek Qendra e Inovacionit në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin e Prishtinës, projekt investues nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë”, tha ai.
Ministri Shala ka premtuar përkrahje për inovatorët dhe ekipet inovative, të cilët do të zhvillojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Natyrisht që ky investim do të jetë i suksesshëm duke marrë parasysh gatishmërinë e stafit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të cilët tashmë janë në përfundim të planit strategjik për funksionalizimin e kësaj qendre që do të jetë në shërbim të studentëve të UP-së, ndërmarrjeve inovative në proces të parainkubimit dhe inkubimit dhe për të gjithë të rinjtë e interesuar për përgatitjen profesionale në fushën e inovacionit, tha ai.
Sipas ministrit Muzafer Shala duhet fuqizim i kërkimeve shkencore, si dhe transferim i teknologjisë nga universitetet dhe kolegjet për zhvillimin e ideve dhe bizneseve inovative, të cilat do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.