Shala: Ka shpresë që Kurti e Abdixhiku të arrijnë kompromis për një marrveshje

Prishtinë | 07 Gus 2026 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve politike, Ibrahim Shala, vlerëson se ngërçi aktual institucional buron nga mënyra se si është ndërtuar sistemi kushtetues, pasi fituesi i zgjedhjeve mund të sigurojë votat për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por jo edhe për presidentin e vendit.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Shala tha se rezultati i zgjedhjeve i ka dhënë Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve të saj numrat e nevojshëm për të formuar Qeverinë, por jo edhe shumicën prej dy të tretave që kërkohet për zgjedhjen e presidentit.

“E para duhet të kthehemi te rezultati i zgjedhjeve, çka ka prodhuar rezultati i zgjedhjeve. Rezultati i zgjedhjeve ka prodhuar një fitues që është LVV-ja bashkë me partitë e tjera që janë në koalicion parazgjedhor, këtu i shton edhe komunitetet pakicë jo serbe, të cilat i garantojnë Lëvizjes Vetëvendosje fitoren me mbi 51% edhe i garantojnë 61 ulëse për të krijuar qeverinë edhe për të zgjedhur kryetarin e parlamentit. Ndërsa, rregullimi ligjor, kushtetuta e Kosovës nuk i mundëson që fituesi ta ketë edhe presidentin sepse kërkon 2/3 e ulëseve. Të shpresosh një parti politike në të ardhmen se vetë do t’i marrë 2/3, nuk ka mundësi edhe teorikisht është e vështirë”, tha ai.

Sipas tij, ky është dallimi kryesor nga legjislaturat e kaluara, kur partitë fituese ishin të detyruara të hynin në koalicione qeverisëse dhe në të njëjtën marrëveshje zgjidhej edhe çështja e presidentit.

“Mirëpo, ku ndryshon ky kualitet i tashëm, kjo situatë e tashme me të kaluarën. Në të kaluarën kishte një parti fituese që ishte me më shumë vota, mirëpo që nuk i kalonte vetë mbi 51% të ulëseve në parlament, atëherë ajo detyrohej që të hynte në koalicion qeverisës, në bashkëqeverisje me partitë e renditura më poshtë dhe në këtë marrëveshje zgjidhej e në pako edhe zgjedhja e presidentit. Në krijimin e institucioneve shtetërore nuk bazohet mbi parime etike, por mbi obligime ligjore dhe kushtetuese. Dhe kjo situatë prodhon ngërçin e tanishëm për të konstituuar qeverinë, ku fituesi i ka votat për të krijuar qeverinë edhe parlamentin, por nuk e ka për presidentin. Do të thotë këtu ju kanë ngarkuar dy në një, tre në një. Ose duhet ta kesh edhe presidentin ose atëherë nuk mund të krijosh qeverinë edhe s’ke legjitimitet. Është një gjendje ku legjislacioni jonë nuk ja njeh fitoren fituesit. Fituesi është vullnet i sovranit. Atëherë rrjedhimisht del se kushtetuta jonë nuk e njeh sovranitetin e brendshëm të Kosovës, sepse kështu kemi mbërritur në këtë qorrsokak, kjo është rreth vicioz”, tha ai për Ekonomia Online.

Shala tha se gatishmëria e LDK-së për të vazhduar bisedimet me LVV-në është sinjal pozitiv, por theksoi se negociatat tashmë janë përqendruar te ndarja e posteve kryesore.

“Atëherë vijmë te situata konkrete, për mos me u përsërit zgjedhjet e parakohshme, ose të jashtëzakonshme tash po i quajmë, Lidhja Demokratike si parti opozitare ka treguar vullnet të mirë për të hyrë në bisedime. Mirëpo i ka edhe kushtet e veta, kërkon një post të lartë, kërkon edhe vendin në qeverisje, dhe tash partia fituese është e detyruar që të bëjë lëshime, për mos me e çuar vendin edhe një herë në zgjedhje. Mirëpo sigurisht se probleme ka te ndarja e sektorëve të ministrive ose te pozitat kryesore siç është e presidentit, e kryeparlamentarit, me çka mund të kompensohet njëra dhe tjetra. Dhe lajmi i mirë ka qenë se këta i kanë vazhduar bisedimet, nuk e kanë mbajtur vetëm një takim, ka vazhduar takimi i dytë”, tha ai.

Ai vlerësoi se shtyrja e seancës konstituive nuk duhet të interpretohet si dështim, por si një mundësi shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Seanca e djeshme, si duket nuk e ka prodhuar këtë marrëveshje në mes të LDK-së edhe VV-së. Seanca e djeshme, është gabim të kualifikohet si dështim. Realisht seanca e djeshme është shtyrë për sot dhe nuk është shtyrë në një kohë infinit qysh e interpretuan disa analistë e oponentë të opozitës edhe të tjerë, por është një shtyrje në afat të caktuar, për 24 orë. Dhe 24 orë shtyrje për të gjetur një zgjidhje përfundimtare që do ta zgjidhte këtë ngërç, nuk është ndonjë shtyrje e madhe. Nuk duhet të jenë shumë tendenciozë as liderët e opozitës e as analistët politikë, mirëpo duhet ta shohin si një mundësi, deri në orën 24 të ditës së sotshme ne duhet ta shohim si një mundësi këtë. Pastaj, kalohet në një realitet të ri, nëse nuk i kanë votat për me zgjedh presidentin, sigurisht se partia fituese në seancën gjysmore para 12-ve do të zgjedhë kryekuvendarin edhe do të zgjedhë kryetarin e qeverisë, dhe pastaj afati kohor që ja jep kushtetuesja, ai do të vazhdojë me partitë opozitare që të gjejë një mënyrë për zgjedhjen e presidentit dhe mos ta çojmë vendin edhe një herë në zgjedhje”, tha ai.

Sipas Shalës, problemi kryesor mbetet mënyra e zgjedhjes së presidentit, e cila, sipas tij, duhet të ndryshohet për të shmangur bllokadat institucionale.

“Këto procedura të tjera me automatizëm në momentin kur zgjidhet kryetari i ri i kuvendit, kushdo qoftë ai, ai me automatizëm është edhe ushtrues i detyrës së presidentit dhe i luan të dy rolet deri në një moment të caktuar ashtu qysh e ka luajtur edhe Albulena Haxhiu deri më tash. Dhe sigurisht nëse brenda afatit kushtetues nuk gjendet zgjidhja prapë vendi do të shkon në zgjedhje të parakohshme. Mirëpo si rezultat i mungesës së legjislacionit për me zgjidh ngërçin, e mënyrës së zgjedhjes së presidentit në Kosovë. Aktualisht Kosova problemin më të madh e ka këtë, si duhet të zgjidhet presidenti, pa e kushtëzuar me krijimin e qeverisë edhe me zgjedhjen e kryekuvendarit. Ka shumë mënyra se si të zgjidhet kjo, qoftë edhe me një ndryshim të rregullores, amendamentim të 1/9 që të zgjidhet edhe me 61, ose të detyrohen kuvendarët që të qëndrojnë brenda në kuvend. Dhe njëherë e mirë do t’i kishte zgjidhur këtë problem Kosova dhe në të ardhmen do të kishte prodhuar ky sistem çdo herë një qeverisje shumë stabile”, tha ai.

Ai shtoi se fakti që takimet mes LVV-së dhe LDK-së po zhvillohen larg vëmendjes së publikut është tregues se ekziston vullnet për kompromis.

“Po sipas teorisë politike kur mbahen takime të tilla ku duhet të arrihen marrëveshje, zakonisht ato mbahen jashtë syrit, larg syrit të opinionit edhe të mediave, që të mos interferojnë palët e treta. Dhe kur palët që janë në bisedime, kanë dëshirë të shfaqin rezultatin. Dhe me vetë faktin që këta e kanë mbajtur këtë jashtë mediave, edhe i kanë dhënë mundësi vetes për të vazhduar bisedimet, kanë pasur kohë mbrëmë, edhe sot kanë tërë ditën, kanë kohë për të biseduar, kjo jep një shpresë se të dy liderët janë të vetëdijshëm për momentin historik, për momentin që rrethanat politike ju kanë ofruar në këtë moment Albin Kurtit edhe Lumir Abdixhikut për të gjetur një zgjidhje edhe për të arritur një kompromis, për të mirën e vendit, për mos me e çuar këtë vend edhe këtë popull edhe një herë në zgjedhje të parakohshme. Dhe pikërisht për këtë vetëdije është ajo që i shtyn këta në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje”, tha ai.

Konstituimi i Kuvendit, si hap i parë në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës, nuk u përmbyll siç pritej, në paraditen e 6 gushtit.

Seanca konstituive e së enjtes u shty nga kryesuesi i saj, pas betimit të deputetëve të rinj, me kërkesë të kryetarit të partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), për t’i dhënë kohë arritjes së një marrëveshjeje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Teksa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit – që do të hapte rrugën për formimin e qeverisë dhe për zgjedhjen e presidentit të shtetit – skadon të premten në mesnatë, dy partitë ende nuk duken afër një ujdie.

Për më tepër, procesin negociues mund ta ndërlikojë kërkesa e shprehur publikisht e LDK-së që ta ketë postin e presidentit.

Për LVV-në e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, presidenti i ri i vendit duhet të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale, ndërkaq për LDK-në kushdo që i ka 80 vota.

Të ngjashme