Po vazhdon seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, e ku kryeministri i vendit Avdullah Hoti është ftuar për të raportuar për çështjen e të pagjeturve.
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, në seancën e sotme të Kuvendit ka folur edhe për marrëveshjen e marrëveshjen e arritur në Uashington, shkruan gazeta Express.
Ai ka thënë se këtë marrëveshje e shohin si një mundësi të mirë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se pikat e marrëveshjes së Uashingtonit nuk duhet të trajtohen si të veçanta, për çka tha se në pikën ku flitet për të zhdukurit, të dy palët zotohen që të shpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar mbetjet e personave të zhdukur.
“Besoj që kjo marrëveshje në Uashington dhe garantimi i SHBA-së për zbatimin e kësaj pike besoj që është mirë që qytetarët e Republikës së Kosovës, është në të mirë të zgjidhjes së kësaj çështje jashtëzakonisht të ndjeshme për të gjithë neve. Ne jemi të bindur që edhe me ndihmën e SHBA-ve, po edhe të shteteve tjera do të arrijmë sa më shpejtë ta zgjidhim edhe këtë çështje… Unë kërkoj nga të gjithë ju që është momenti i fundit që gjithë Kosova, të gjitha subjektet politike të flasim me një zë dhe të jemi me një qëndrim për zgjidhje sa më të shpejtë të kësaj çështje”, tha ai.