Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka propozuar në mbledhjen e Qeverisë themelimin e Këshillit për Pronësi Intelektuale, që është miratuar me shumicë votash. Shala ka theksuar se ky këshill do të ofrojë ndihmë për institucionet, përfshirë zbatimin e të drejtave pronës intelektuale.“Me propozimin tim, në mbledhjen e Qeverisë kemi marr vendim për themelimin e Këshillit për Pronësi Intelektuale. Themelimi dhe fuqizimi i këtij këshilli ka qenë i përcaktuar edhe si kriter për zbatimin e MSA-së.
Ky këshill do të ofroj ndihmë për institucionet qeveritare dhe akterët e tjerë të përfshirë në zbatimin e të drejtave të pronës intelektuale, po ashtu do të ndihmoj në ngritjen e kapaciteteve dhe në hartimin e politikave në fushën e pronësisë intelektuale”, ka thënë Shala.
Gjithashtu me iniciativë të ministrit Shala, është miratuar në qeveri nisma për fillimin e negociatave për arritjen e marrëveshjes bilaterale për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Hungarisë.
“Arritja e kësaj marrëveshjeje do të ju ofrojë siguri ligjore shtesë investimeve dhe investitorëve të dyja palëve dhe njëherit shpreh gatishmërinë e institucioneve tona për të promovuar dhe mbrojtur investimet e huaja dhe në veçanti investimet e huaja që vijnë nga Hungaria. Unë besoj se arritja e kësaj marrëveshje do të intensifikoj bashkëpunimin ekonomik, do të rris investimet reciproke, do të inkurajoj iniciativat biznesore dhe do të nxis prosperitet ekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit tonë”, ka thënë Shala.