Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Muzafer Shala në një konferencë për medie ka akuzuar Ministrinë e Arsimit se ka dështuar t’i bëjë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor me kohë, krahas situatës së rënduar nga përballja me pandeminë dhe rritjes së numrit të rasteve të infektuara me virusin Delta, raporton Ekonomia Online.
Shala ka thënë se për PDK-në është jashtëzakonisht të papranueshme, zhgënjuese dhe dështim fund e krye i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit që të nuk ka arritur t’i bëjë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator.
“Për dallim nga shumë vende që i përditësojnë të dhënat e udhëzimeve administrative dhe udhëzuesve rreth përgatitjve të mbarëvajtjes së arsimit, në Kosovë nuk ka ndodhur ende një gjë e tillë nga MASHT-i. Në këto momente kur po flasim, situata në terren është alarmuese dhe shumë drejtor shkollash që kemi pyetur thonë se askush nuk i ka kontaktuar për asgjë”, ka thënë ai.
Shala ka ngritur një sërë shqetësimesh në lidhje me këtë situatë dhe ka kritikuar Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit duke thënë se në vend të përgatitjeve intensive, ata e kaluan pushimin veror në bregdet dhe sallone dasmash dhe rrezikojnë të dështojnë edhe një vit të ri shkollor.
“I bëjmë apel Ministrisë së Arsimit dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që ta marrin seriozisht situatën me pandeminë dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Në të kundërtën, dështimi i qeverisë do të zbeh besimin e mësuesve, nxënësve dhe prindërve në sistemin arsimor të vendit tonë në këtë krize pandemie. Duhet që të arrihet një konsensus me të gjitha palët e interesit për ta tejkaluar këtë krizë dhe ministria të jetë konsistente me vendimet që i merr duke i informuar të gjitha palët për përgatitjet sa më herët dhe në mënyrë të duhur”, ka përfunduar ai.
Deklarata e plotë e Muzafer Shalës:
Të nderuar gazetarë,
Mirë se keni ardhur në këtë konferencë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Kanë mbetur më pak se dy javë nga fillimi i vitit të ri shkollor dhe situata duket jashtëzakonisht e rënduar dhe pa shpresë për një fillim të mbarë për shkak të rritjes së rasteve të infektimeve të reja me virusin delta.
Kosova po shkon drejt mbylljes së sërishme për shkak të keqmenaxhimit sepse në rrethanat kur pandemia nuk ka përfunduar ende, Ministria e Arsimit dështoi për ti bërë përgatitjet e duhura dhe me kohë.
Njëri nga sektorët që do të goditet më së shumti duket të jetë sërish arsimi, dhe fëmijët tanë që do të mbesin në shtëpi pa një perspektivë të qartë shkollore.
Fatkeqësisht, ato që i kemi paralajmëruar me kohë si PDK po ndodhin – që Qeveria e Kosovës, më konkretisht Ministria e Arsimit nuk e ka shfrytëzuar pushimin e gjatë veror për ti bërë të gjitha përgatitjet e duhura që fëmijët të kthehen në bankat e shkollës normalisht dhe që personeli arsimor të jetë i vaksinuar i tëri dhe me prioritet.
Madje duhej që vaksinimi të ishte i obligueshëm për të gjithë personelin prej arsimit parafillor e deri tek ai universitar.
Si PDK, kemi pasur mirëkuptim ndaj qeverisë vitin e kaluar për situatën e vështirë të arsimit sepse pandemia ishte e panjohur për krejt botën dhe shumë vende i gjeti të papërgatitura.
Por është jashtëzakonisht e papranueshme, zhgënjuese dhe dështim fund e krye i qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit që të mos i bënte përgatitjet e duhura për të nisur mbarë dhe me rregull viti i ri shkollor më 1 shtator.
Për dallim nga shumë vende që i përditësojnë të dhënat e udhëzimeve administrative dhe udhëzuesve rreth përgatitjve të mbarëvajtjes së arsimit, në Kosovë nuk ka ndodhur ende një gjë e tillë nga MASHT-i.
Në këto momente kur po flasim, situata në terren është alarmuese dhe shumë drejtor shkollash që kemi pyetur thonë se askush nuk i ka kontaktuar për asgjë. Prandaj shqetësimet që po i ngrisim sot si PDK për ministren e Arsimit Arbërie Nagavci janë si në vijim:
· Sa është numri i nxënësve dhe mësimdhënësve të prekur nga COVID?
· Si janë kushtet higjienike për fillimin e vitit shkollor 2021/2022 dhe a duhet dezinfektuar shkollat?
· Çka do të behet rreth zëvendësimit të mësimdhënësve qe nuk munden ta fillojnë vitin shkollor për shkak të infeksionit?
· Sa është përiqindja e vaksinimit tek personeli arsimor dhe mbështetës në nivel të Kosovës?
· Sa fëmijë nuk i kane kushtet tekniko-teknologjike për ta ndjekur mësimin online nëse kalohet i tëri në mësim online për shkak të përkeqësimit të situatës pandemike?
· Sa mësimdhënësve u duhen orë shtesë të përgatitjes për përdorimin e teknologjive të reja për mësim të kombinuar?
Të dashur qytetarë,
Këto dhe shumë pyetje të tjera na bën të kuptojmë që qeveria me plot kuptimin e fjalës ka dështuar ti bëj përgatitjet e duhura për ta filluar normalisht vitin e ri shkollor. Aq më tepër, Ministria e Arsimit nuk është fare e informuar për gjendjen në terren. Në vend të përgatitjeve intensive, ata e kaluan pushimin veror në bregdet dhe sallone dasmash.
Me këtë situatë të rënduar, e ardhmja e fëmijëve tanë direkt është duke u shkatërruar, e rrjedhimisht edhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik e social.
Sot, mësuesit tanë, nxënësit dhe prindërit nuk kanë informacione se:
· Kur do të filloj mësimi dhe a do të filloj me mbajtjen e mësimit fizikisht në ambiente të shkollës, a do te mbahet Online apo do të këtë mësim të kombinuar (Fizik-Online)?
· Cilat masa higjienike do të aplikohen dhe kush i siguron?
· Çfarë teknologjie do të përdoret?
· Çka duhet të bëj mësuesi nëse rezulton i infektuar dhe kush do ta zëvendësoj?
· A janë ne funksion ende task forcat në nivel shkolle të krijuara vitin e kaluar?
· A do regjistrohen nxënësit në afatin e dytë?
· A do sigurohen pajisje tekniko-teknologjike për ndjekjen e mësimit?
Për fund, i bëjmë apel Ministrisë së Arsimit dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që ta marrin seriozisht situatën me pandeminë dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Në të kundërtën, dështimi i qeverisë do të zbeh besimin e mësuesve, nxënësve dhe prindërve në sistemin arsimor të vendit tonë në këtë krize pandemie.
Duhet që të arrihet një konsensus me të gjitha palët e interesit për ta tejkaluar këtë krizë dhe ministria të jetë konsistente me vendimet që i merr duke i informuar të gjitha palët për përgatitjet sa më herët dhe në mënyrë të duhur.