Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, i cili ishte i ftuar në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale tha që nuk janë të interesuar të cenohet trungu i shpellës së Gadimes.
Ai ka theksuar se Shpella e Gadimes duhet të mbrohet me interesa nacional dhe të shohin se cila është zona që nuk i cenon veprimtaritë ekonomike dhe veprimtaritë tjera që janë për rreth shpellës, të cilat janë të licencuara nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.
“Shpella e Gadimes është zonë me interes nacional. Nuk jemi të interesuar në atë se çka ka ndodhur më herët, nuk duhet të cenohet trungu i Shpellës së Gadimes…”, tha ai.
Kurse kryetari i Komisionit për Miniera dhe Minerale, Musa Shabani, ka deklaruar se vendndodhja e shpellës së Gadimes nuk do të jetë më e dyshimtë.
“KPMM së bashku me MMPH kanë bërë matjen gjeografike të shpellës së Gadimes, e cila është nga lindja deri tek shtëpitë, kurse pjesa tjetër nuk përkon me zonën tjetër…”, ka thënë ai.
Shabani gjithashtu paralajmëroi edhe mundësinë për hapjes e një miniere të re të arit në Kosovë, në zonën e Brusit në Vushtrri.