Presidenti Hashim Thaçi ka caktuar 3 gushtin ditën kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Republikës.
Koalicioni fitues i zgjedhjeve parlamentare, PAN, është duke pretenduar që përpos votimit të kryeparlamentarit, të njëjtën kohë ta votojë edhe përbërjen e re të ekzekutivit, në krye me kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj.
Partia e Fatmir Limajt, Nisma për Kosovën, shpreson se në këtë seancë të legjislaturës së pestë do të votohen dy figurat kryesore të vendit.
Megjithatë, anëtari i kryesisë së këtij subjekti, njëherësh deputeti i rizgjedhur, Haxhi Shala ka thënë se nuk ka informacione të sakta rreth sigurimit të numrave.
“Po me 3 gusht po besojmë se zgjidhet kryetari i parlamentit dhe në qoftë se koalicion PAN i ka numrat atëherë s’kemi çka me prit duhet pra po atë ditë, pas një pauze, ta votojë menjëherë z.Haradinaj për kryeministër. A do të ndodhë atë ditë apo nuk do të ndodhë unë nuk kam informacione”, është shprehur Shala për ‘Indeksonline’, duke shtuar se beson tek tre liderët e koalicionit PAN të cilat kanë deklaruar se numrat janë siguruar.
Në fund, Shala po pretendon se sigurimi i këtyre deputetëve nuk përjashtohet të jenë nga koalicioni i LDK-AKR dhe Alternativa.
“Kësisoj, duke parë disa lëvizjeve nga koalicioni LAA ne besojmë se kryhet kjo punë”, është shprehur ai.