Paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti se vendi rrezikohet që të këtë sulme terroriste para dhe pas vitit të ri, janë të bazuara në informacionet që kanë institucionet e sigurisë në vend, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, sulmet që mund të ndodhin në vend janë të determinuara nga proceset e caktuar politike në Kosovë, duke e lidhur këtë edhe me vendimin e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos certifikimin e Listës Serbe si subjekt politik.
Shala ka thënë se pjesa veriore është në vazhdën e sulmeve të vazhdueshme nga ana e strukturave paralele të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që kanë për qëllim ndryshimin eventual kushtetues në Kosovë.
“Bazuar nga informacionet zyrtare që kryeministri i Kosovës i ka marr nga ana e mekanizmit të sigurisë së Kosovës. Janë përmendur strukturat përkatës që kanë për qëllim dhe për synim edhe motiv politik edhe terrorist për të përcaktuar një ndryshim eventual kushtetues në Kosovë. Ne e dimë që pjesa veriore është në vazhdën e sulmeve të vazhdueshme nga ana e strukturave paralele të mbështetura nga Beogradi zyrtar. A mund të kemi sulme, tani me çështjet politik e determinojnë edhe procese të caktuara në kontekste të sigurisë. Ne tani e kemi të qartë që vendimi i KQZ për mos të certifikuar Listën Serbe si subjekt politik mund ta ngris potencialin politik e cila mund të zbrazet në kontekstin e sigurisë”, ka thënë ai në intervistën për Ekonomia Online.
Shala ka thënë se sulmet nga strukturat kriminale dhe terroriste mund të jenë potencial i vazhdueshëm, duke shtuar se tani terreni politik është i kontaminuar në kontekstin e veprimeve të caktuara politike dhe sipas tij, ky akumulim i tensioneve mund të përdore pjesa veriore si fushë e qitjes.
“Kurti bazohet në informacionet eksplicite të AKI-së dhe kjo është argumentuar qartazi edhe përmes komunikimeve të vazhdueshëm që ka potencuar vetë kryeministri i Kosovës që janë bërë nëpërmjet krye terroristit Raidoçiq, i cili me çdo kusht tenton që të avancoj. Sulmet mund të jenë potencial i vazhdueshëm me qenë se tani terreni politik është i kontaminuar në kontekstin e veprimeve të caktuara nga ana e mekanizmave vendor të Kosovës dhe këtë gjë do ta shfrytëzoj pa dyshim në bazë të rrethanave edhe strukturat kriminale dhe terroriste të mbështetura nga Beogradi me qenë se kemi një tension edhe në pjesën e Beogradit për çështje të ndryshme. Mund të përdoret ky momentum, që ky akumulim i tensioneve të jetë në pjesa veriore si fushë e qitjes të cilën mund të bëjë veç Beogradi”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se pavarësisht rrezikut, institucionet e sigurisë në vend janë të përgatitur për çfarë do situate.
“Ne i kemi veç të ngritura kapacitetet dhe qëndrueshmërinë operacionale. Kemi shtim të trupave që ofrojnë sigurinë publike dhe nacionale. Policia e Kosovës ka të hartuar një plan operacional, dhe në dy javët kritike mund të përcaktojmë fatin që do të kemi numër të shtuar të patrullimeve. Edhe pikat kufitare do të kenë kontrolle me të detajuara. Do të përdoret edhe një element krucial, është çështja e vëzhgimit përmes kamerave dhe dronëve që ka në dispozicion Policia”, ka thënë ai për EO.