Juridikisht, Besim Kelmendi nga sot është Ushtrues Detyre i Kryeprokurorit të Shtetit, pasi që Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e tij dhe e ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin Kelmendi, më 20 nëntor ishte shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporton Ekonomia Online.
Hulumtuesi i IKD-së, Gzim Shala në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Supremja ka vërtetuar atë që kishte thënë IKD qysh në momentin kur KPK në një mbledhje pa kuorum kishte marrë vendimin për ta shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe në vend të tij ta emëroj Agron Qalajn.
“Vendimi i Gjykatës Supreme paraqet një konfirmim në lidhje me atë që kemi thënë si Institut i Kosovës për Drejtësi se vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës në rastin konkret ishte vendim arbitrar dhe i kundërligjshëm. Ishte një vendim që ishte nxjerrë në një mbledhje që nuk kishte kuorum për mbajtjen e saj dhe për vendimmarrjen e saj dhe që fatmirësisht Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës i ka konfirmuar këto gjetje të IKD-së dhe për këtë arsye edhe e ka anuluar vendimin për shkarkimin e zotëri Kelmendit nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit duke kthyer rastin në rishqyrtim në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, ka thënë Shala.
Shala ka theksuar se vendimi i Supremes është lajm pozitiv dhe ka mbrojtur ligjshmërinë.
“Definitivisht është një lajm pozitiv dhe në rastin konkret është mbrojtur ligjshmëria dhe siç e kemi theksuar dhe në të kaluarën dhe nëse e krahasojmë me ngjarjet dhe diskutimet e tjera të cilat kanë ndodhur në KPK dhe momentumin që këto veprime janë ndërmarrë krahasuar edhe me letrat të cilat zyra e Bashkimit Evropian i kishte dërguar të KPK, haptazi kishte përpjekje për ta mbajtur korporatizimin edhe pasi reforma në KPK të fillojë efektet e saj të para. Fatmirësisht në rastin konkret një vendim të kundërligjshëm të nxjerrë në një mbledhje pa kuorum nuk e kaloi Gjykata Supreme duke vërtetuar ato që kemi thënë si IKD qysh në ditën kur është marrë ky vendim”, potencon Shala.
Ndonëse nuk dihet si është vepruar brenda institucionit të sistemit prokurorial, megjithatë Shala thotë se nga sot, juridikisht Besim Kelmendi është Ushtrues Detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.
“Juridikisht zotëri Besim Kelmendi sot është Ushtrues Detyre e Kryeprokurorit të Shtetit për shkak se vendimi për shkarkimin e tij nga kjo pozitë është anuluar ndërsa ai ka vendim me të cilin është zgjedhur në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Nuk e di sot sesi është vepruar praktikisht brenda ambienteve të sistemit prokurorial, por juridikisht ai sot është Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe që haptazi edhe nënkupton se ndonëse gjykata nuk është lëshuar në pasojat juridike të çështjeve përkitazi me këtë situatë por ka theksuar se vendimi për shkarkimin e tij është i kundërligjshëm”, tha ai.
Deri te vendimi për shkarkimin e Besim Kelmendiit erdhi pas raportimeve se ai gjoja kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën ajo e konsideronte ngjarje të trilluar.
Por ai në një konferencë për media, ka mohuar këto pretendime.
Megjithkëtë, Supremja në vendimin e së mërkurës (17.12.2025) i Këshillit Prokurorial ishte i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë.
“Është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar”, tha Supremja.
Sipas Supremes, në vendimin e Këshillit nuk arrihet të kuptohet nëse Kelmendi është shkarkuar për shkak të shkeljes së Kodit të Etikës dhe se në veprimet/deklarimet e tij në Këshill dhe media a plotësohen elementet e përgjegjësisë disiplinore, pasi arsyet për të cilat është shkarkuar paraqesin elemente të shkeljes së Kodit të Etikës për Prokurorë.
“…pasi aludohet në ushtrim mbajtje të qëndrimeve jo objektive favorizim, prononcim për media për çështje që nuk munden me qenë të përshtatshme për prononcim, pastaj mungesa e objektivitetit, të gjitha këto janë elemente të procedurës disiplinore, bazë tjetër që lidhet me shkarkimin është fakti se a është shkarkuar për shkak të vlerësimit të performancës pasi që në Vendimin mbi shkarkimin në hyrje të të njëjtit ku përmendet baza ligjore ndër të tjera vendimi bazohet në nenin 22.5 të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës që i referohet situatës së shkarkimit për shkak të performancës (por që duhet të ketë një raport negativ të vlerësimit të performancës) i cili raport duhet të diskutohet, konstatimit të sjelljes kriminale, keq menaxhimit, jo-kompetencës, apo dështimit në kryerjen e detyrave të pozitës”, thuhet ndër të tjerash në vendim.
