Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ka raportuar për fushën e mjedisit në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës.
Duke folur për çështjen e ndotjes së ajrit, Shala theksoi se MMPH-ja është duke bërë maksimumin për mbrojtjen e mjedisit.
Ai theksoi se në vitin 2017 kanë hartuar planin për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja. “Ne menaxhojmë, monitorojmë, por e kemi të pamundur të interferojmë, pasi kjo i takon Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Infrastrukturës dhe ekonomive familjare. Djegia e derivateve lidhet me sektorë të tjerë”, tha Shala, raporton Ekonomia Online.
Shala ka folur për planin e punës dhe strategjitë legjislative. “Plani legjislativ është bërë përmes një analize të thuktë. Është e vërtet që plani jonë legjislativ është ambicioz, por është kërkesë për zhvillimin e sektorëve të caktuar. Çështja e ndërtimit brenda parqeve lë shumë konfuzion; tash kemi hartuar planin për Bjeshkët e Nemuna dhe presim që këtë vit të kalojë në Kuvend”, tha Shala.
Ndërsa për çështjen e kadastrës, ai tha se është në proces të kompletimit. “Jemi duke zhvilluar një projekt me Bankën Botërore, i cili përfundon në qershor. Brenda muajt shkurt dhe mars do ta kemi raportin e vlerësimit të punës që është bërë. Gjithashtu jemi duke bërë marrëveshje që të kthehet dokumentacioni historik i kadastrit të Kosovës. Gjatë muajit mars do ta kemi një analizë të qartë se si duhet të vazhdojmë”, ka thënë Shala.
Anëtari i komisionit nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, ngriti çështjen e mosrealizimit të planit legjislativ të kësaj ministrie.
“Kemi problemin që nuk po realizohet plani legjislativ. Nuk arrihet të realizohet plani legjislativ ma shumë se 20 për qind çdo vit. Edhe ne si komision po ngecim, sepse nuk po mund t’i kryejmë punët që vijnë nga ministria dhe qeveria”, tha Salihaj.
Deputetja e AAK-s,Time Kadriaj, kërkoi nga ministri Shala që të shpjegojë nëse dikasteri që ai drejton ka një plan për banorët e Hades.
“Dua të di se a ka ministria juaj një plan B për banorët e Hades. Është përgjegjësi institucionale që kjo çështje të zgjidhet”, tha ajo.
Deputeti i LDK-së, Murat Hoxha, tha se Ligji për Shpronësimet duhet të jetë prioritet për Ministrinë e Mjedisit, për shkak se ky ligj i prek drejtpërsëdrejti qytetarët e Kosovës. “Ligji aktual për shpronësimet cenon të drejtat e qytetarëve dhe është konstatuar që duhet të ndryshohet tërësisht”, tha Hoxha.
Deputeti i PDK-së, Shaip Muja, kërkoi të dijë se cili është roli i Ministrisë së Mjedisit në matjen e territorit, përkatësisht çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. “A keni qenë të involvuar””
Më tutje, Muja u ndal dhe te Ligjin për Obiliqin, i cili sipas tij, “po sfidohet nga qeveria”. Muja u shpreh pesimist se ky ligj i miratuar së fundi në Kuvendin e Kosovës do të jetë funksional.