Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë që kjo parti është kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike sipas propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, shkruan Gazeta Express.
Ai ka thënë se projekti i sjellur nga ZRRE është kryekëput projekt qeveritar.
“Jemi kundër ngritjes së çmimit të energjisë. Kjo për arsye se as metodologjia, as koha , as praktika e as momenti nuk është që sot të ngritet çmimi i energjisë. Aq më hiç kur kemi një kalkulim dhe një projekt që na sillet përmes dorës zë ZRRE-së i cili është kryekëput projekt qeveritar”, ka thënë Shala.
Më tutje, deputeti i PDK-së tha se Qeveria Kurti është duke ndikuar në ZRRE.
“ZRRE do të duhej të ishte dhe baza ligjore dhe kushtetuese i garanton që të jetë i pavarur. Fatkeqësisht një gjë e tillë po vërtetohet çdo ditë e më shumë që aty kemi ndërhyrje direkte politike. Vet raporti që ne sot e kundërshtuam është raport i hartuar bashkërisht, Qeveri dhe ZRRE. Përkundër se u tentua që të mbulohet kjo, sot u shpërfaq e tëra që raporti u hartua në konsultë të plotë me Qeverinë”, ka thënë ai.
E lidhur me atë se kush e merr vendimin përfundimtar nëse do të ketë apo jo rritje të çmimit të energjisë elektrike, Shala tha se është mazhoranca ajo e cila vendos.
“Përfundimisht fatkeqësisht vendos mazhoranca përmes mekanizmave dhe Bordit që tani kanë instaluar në ZRRE”, tha ai.