Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka publikuar një video gjatë kohës së luftës ku shihet edhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli e qindra civilë të pafajshëm.
Në videon e postuar në Facebook, shihen edhe pjesëtarë të UÇK-së të lënduar, me ç’rast shkruan se “Rruga drejt lirisë ishte e gjatë dhe e mundimshme, por në çdo hap të saj, ndihej fuqia e solidaritetit dhe vendosmëria jonë për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit, për të mos e braktisur askënd”.
“Rruga drejt lirisë nuk ishte aspak e lehtë. Ishte kohë plot dhimbje, sakrifica por edhe krenari e ideal. Mirënjohje secilit ushtar të UÇK-së dhe çdo qytetari. Kujtoj me emocione të mëdha atë kohë të vështirë, kur çdo ditë ishte një betejë për jetë a vdekje. Ishim të përkushtuar për të shpëtuar çdo njeri, çdo civil që gjendej në mes të zjarrit të luftës, për të plagosurit që luftonin për jetën dhe për fëmijët. Rruga drejt lirisë ishte e gjatë dhe e mundimshme, por në çdo hap të saj, ndihej fuqia e solidaritetit dhe vendosmëria jonë për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit, për të mos e braktisur askënd”, ka shkruar Shala në mbishkrimin e videos.