Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, është shprehur i bindur se sulmi në Banjskë të Leposaviqit ndodhi me incim të politikës serbe, përkatësisht me urdhër të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Në një prononcim për InfoSot, Shala thotë se Serbia e ka treguar fytyrën e saj duke përdorur mercenarë apo kontraktorë si Wagner për të kryer veprime kriminale e terroriste në territorin e Kosovës.
“Në aspektin e sigurisë mund të thuhet që tani struktura uniformuese e Beogradit që ka vepruar në territorin e Kosovës ka fytyrën e saj dhe shihet që ketu shteti i Serbisë ka vepruar përmese kësaj metode që duke përdorur mecenarë apo kontraktorë, si Wagner, të kryejnë veprime kriminale terroriste në territorin e Kosovës”, thotë Shala.
Sipas tij, pala kosovare ne arenën ndërkombëtare tanimë është e qartë dhe se ngjarja e sotme duhet t’i bëjë ata të reflektojnë për të ushtruar presion te shteti serb e jo sic ka ndodhur deri më tani.
“Situata politike në arenën ndërkombetare për palën e Kosovës është tani e qartë që agresioni i vetëm në drejtim të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare është Beogradi dhe politika zyrtare e saj. Dhe kjo doemos do të reflektojë edhe te faktori ndërkombëtar që duhet presionin ta paraqesin te Serbia e jo siç është duke ndodhur tani.”
Shala thotë se institucionet e Kosovës dhe grupet parlamentare duhet ta gjejnë një gjuhë të përbashkët perballë sfidës së rradhës, e që është përmbyllja e dialogut dhe negociatave me Serbinë e BE-në.
“Institucionet e Kosovës duhet të ulen në nivelin politik për të gjetur një unitet edhe me grupet e tjera brenda parlamentit të Kosovës për të dalë si një trup përballë sfidës së radhës e që është përmbyllja e dialogut dhe procesit me Serbinë, por edhe me BE-në”, thotë Shala.