Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, gjatë një vizite në Gjermani është takuar me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, me të cilin ka diskutuar për mundësitë që ka Kosova për të ofruar shërbime profesionale në fushën e teknologjisë.
Ministri Shala ka thënë se me zëvendëspresidentin Wieland, po ashtu kanë folur edhe për funksionalizimin e Parkut për Inovacion dhe Trajnime në Prizren.
“Me z. Wieland diskutuam rreth rëndësisë së funksionalizimit të Parkut për Inovacion dhe Trajnime në Prizren të cilin synojmë ta shndërrojmë në një Hub Regjional të Teknologjisë duke pasur parasysh numrin dhe potencialin e të rinjëve që ka Kosova”, tha ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala.
Ai tha se të rinjtë nga Kosova mund të ofrojnë shërbime për kompanitë gjermane.
“Me zëvendëspresidentin Wieland u pajtuam që të kemi një komunikim të vazhdueshëm me qëllim të promovimit të mundësive që i ka Kosova, ku të rinjtë tanë mund të ofrojnë shërbime profesionale në fushën e teknologjisë për kompanitë gjermane”, tha ai.
Gjatë kësaj vizite në Gjermani, ministri Shala ka marrë pjesë edhe në Kampin Veror në Schwabisch Gmund të Gjermanisë.
“Së bashku me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland sot ndamë çmimin për fituesit e vendit të parë, ku njëri ndër fituesit e çmimit të parë ishte edhe një i ri nga Kosova si pjesëmarrës në Kampin Veror i cili po organizohet në Schwabisch Gmund të Gjermanisë nga organizata Education Unlimited, projekt edukativ gjermano-kosovar”, theksoi ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala.
Ndryshe, synim i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, përveç përkrahjes së të rinjëve me ide inovative është edhe përkrahja e Start- up bizneseve si dhe e kompanive që eksportojnë shërbime në fushën e teknologjisë, e rrjedhimisht kontribuojnë në rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik në vend