Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala gjatë vizitës në Gjermani ka vizituar kompani dhe institute të rëndësishme gjermane të cilat merren me teknologji informative dhe inovacion.
Ministri Shala ka folur me drejtuesit e këtyre kompanive për gjetjen e formave të bashkëpunimit me kompanitë nga Kosova. Ai ka njoftuar ata për potencialin e të rinjëve dhe kapacitetet e tyre për t’u ofruar shërbime në fushën e teknologjisë kompanive gjermane.
Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, ka takuar drejtuesit e kompanisë DEKRA, ku i ka ftuar për vizitë në Kosovë.
“Gjatë takimit i ftova drejtuesit e kompanisë DEKRA për një vizitë në vendin tonë, me qëllim të gjetjes së një modeli ku të rinjtë kosovar fillimisht do të trajnohen dhe pastaj të punojnë në modelin offshore për këtë kompani”, tha Shala.
Ai ka treguar se gjatë kësaj vizite në kompaninë DEKRA kanë diskutuar për gjetjen e mundësive që studentët të cilët studiojnë për teknologji dhe industrisë të bëjnë praktikën në qendrat e saj me mundësi punësimi.
“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të merr përsipër pjesën e përkrahjes së trajnimeve për këta të rinj”, theksoi ministri në detyrë Muzafer Shala.
Ai ka pasur edhe një vizitë në Hasso Plattner Institut (HPI) i cili gjendet në Postdam të Gjermanisë.
Ai gjatë takimit me drejtorin e Institutit HPI, Prof. Dr. Chrisoph Meinel, i ka treguar për planet e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për krijimin e 50 mijë IT inxhiniereve dhe krijimin e një qendre regjional në Prizren.
“Në të ardhmen me Institutin HPI do të kemi bashkëpunim ku modelin e Desing Thinking si dhe qasjen ndërremarrëse dhe inovative do ta promovojmë dhe nxisim duke filluar nga klasa e parë e shkollës fillore, e deri te studentet në universitete si dhe tek problematikat komplekse në Kosovë. Studentet tanë do ta kenë mundësinë të shkojë dhe të bëjnë hulumtim 6 mujor në këtë institucion si dhe do të ketë mundësi për të ndjekur studimet e doktoratës”, theksoi ministri Shala, duke shtuar se në të ardhmen do ta përdorin platformat “open source” që janë pjesë e HPI.
Gjatë vizitës në kompaninë NOZ Elektrotechnik, ka thënë se nga afër ka parë punën e kësaj kompanie në integrimin e sistemeve për menaxhimin e objekteve.
“I njoftuam që në Kosovë ka kompani të cilat merren me zhvillim të softuereve dhe sistemeve për smart houses si dhe kompani që merren me prodhimin e paneleve solare që në të ardhmen mund të jenë partner potencial për NOZ Elektrotechnik”, theksoi ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala .
Po ashtu ministri ka vizituar edhe kompaninë “Dr. Stern GmBH” në Ludwigsburg, kompani e specializuar për rekrutim dhe lizing të stafit e cila është edhe anëtare e “Federal Employers Assocations of Personal Service Providers – BAP”.
Gjatë bisedës me drejtorin Joachim Goldfub-Schachten, sipas ministrit Shala, ai ka shprehur gatishmërinë për zgjerim të bashkëpunimit në mënyrë që të rinjëve t’u mundësohet modeli i saj tw shtrihet edhe në Kosovë.