Xherdan Shaqiri ka folur pas përmbyesjes së rezultatit nga Liverpooli në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndaj Barcelonës.
Shaqiri kishte kohë që nuk po shfaqej si protagonist te Liverpool, për shkak se Jurgen Klopp ka gjetur ekuilibrat perfekte në sulm, por shansi i shqiptarit erdhi në ndeshjen e vitit, pasi kundër Barcelonës mungonin Firmino e Salah.
Një paraqitje shumë e mirë, pasuruar me asistin për golin e tretë, ndërsa tani Shaqiri kërkon triumfin e dytë në Champions League, pas atij me Bayern.
Pas ndeshjes së djeshme “xhuxhi magjik” foli për Teleclub: “Është e vështirë të gjesh fjalë në një moment të tillë. Jam jashtëzakonisht krenar për këtë ekip, për atë që kemi bërë. Pakkush e besonte, pasi e nisëm keq, por besuam dhe dëshironim të luanim lojën tonë deri në fund”.
Gjithsesi, kualifikimin zor se e mendonin edhe vetë lojtarët e The Reds dhe Shaqiri e pranon: “Jam ende i tronditur, por shumë krenar për këtë fitore. Nuk e kam provuar kurrë diçka të tillë. Është unike, nuk ndodh çdo ditë. Tifozët ishin të mrekullueshëm, pa ta nuk do ishte e mundur”.