Xherdan Shaqiri nuk ka mundur të shpëtojë Stoke Cityn nga rënia prej Premier Leagues në Championship, por paraqitjet e tij këtë edicion janë vlerësuar lart, përcjellë “Daily Star”.
Shaqiri ishte më i dalluari te Stoke City që edicionin e ardhshëm do të bëjë gara në një kategori më poshtë. Paraqitjet e mira, golat dhe asistimet e Shaqirit kanë bërë që ai të futet në mesin e 30 futbollistëve më të mirë në Premier League, transmeton Koha Ditore.
Bazuar në pikët e tubuara në bazë të sistemit “Power Rankings” nga “Sky Sport”, Shaqiri ka tubuar 48.443 pikë pas 35 paraqitjeve këtë edicion. Ka lënë pas vetes në listë lojtarët si Wilfried Zaha (Crystal Palace), Sadio Mane (Liverpool), Nicolas Otamendi (Man. City) e Willian (Chelsea). I pari në këtë listë, është bindshëm sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah që po shkëlqen në Premier League dhe ka tubuar 89.016 pikë.
Shaqiri 26-vjeçar, për Stoken ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë gjashtë asistime në këtë edicion të Premier Leagues. Mirëpo, këto nuk kanë mjaftuar që Stoke t’i shpëtojë rënies, pasi renditet në pozitën e fundit në tabelë me 30 pikë dhe tashmë është konfirmuar si anëtar i Championshipit për edicionin e ardhshëm.