Mesfushori me origjinë shqiptare i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, ka thënë se ai e dinte se do e kishte më të vështirë ta dëshmonte veten në një skuadër të nivelit të Liverpoolit në krahasim me ish-klubin e tij, Stoke Cityn.
Shaqiri u transferua gjatë afatit kalimtar të verës në Liverpool nga Stoke City për 13.5 milionë euro. Ai kishte shpenzuar tre sezone me Stoke Cityn, megjithatë vendosi të largohej kur ata ranë nga Premierliga në Championship, niveli i dytë i futbollit në Angli, përcjell Gazeta Express.
Shaqiri nënshkroi kontratë pesëvjeçare me Liverpoolin në korrik të këtij viti, megjithatë ai ende nuk ka arritur ta lë shenjën e tij në këtë klub, pasi që i ka bërë vetëm gjashtë paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, duke startuar në vetëm dy prej tyre.
Për dallim, në Stoke City, Shaqiri ishte lojtari më i rëndësishëm i skuadrës dhe ai ishte në formacionin e parë në çdo xhiro. Ndërsa, në Anfield deri më tani e ka pasur më të vështirë ta dëshmojë talentin e tij.
“Ata nuk kanë nevojë të më mbajnë mua të lumtur. Ky proces ka shkuar mirë deri tani për mua. Natyrisht, çdo profesionist dëshiron të luajë sa më shumë, por ka ende shumë ndeshje në këtë sezon”, ka thënë Shaqiri.
“Përpos kësaj, ne duhet ta shikojmë dhe ta vlerësojë atë që ka arritur ta bëjë deri më tani Liverpooli. Shumë futbollistë kanë bërë punë shumë të mirë. Për këtë arsye, skuadra nuk është ndryshuar plotësisht brenda natës”.
“Ajo që po ndodhë në Liverpool është pikërisht ajo që prisja të ndodhte. Unë vendosa të transferohesha në Liverpoolin i vetëdijshëm se do e kishte më të vështirë në një klub të këtij niveli sesa në disa klube të tjera, të cilët më bënin oferta”.