Xherdan Shaqiri e mbylli sezonin 2018/19 në mënyrë të mrekullueshme me Liverpoolin dhe Zvicrën dhe tani nuk dëshiron të humbë kohë para fillimit të sezonit të ardhshëm por t’i mbushë bateritë.
Ylli shqiptar i ndihmoi Liverpoolit ta fitojë Ligën e Kampionëve sezonin që lamë pas dhe të luftojë me Manchester Cityn për titull kokë me kokë deri në ditën finale të sezonit në Premierligë, shkruan Gazeta Express.
27-vjeçari e pati një sezon të ngjeshur me të kuqtë, duke i regjistruar 30 paraqitje në të gjitha garat dhe në fund u kurorëzua me kurorën evropiane, të dytën personale pas asaj me Bayern Munichun në vitin 2013.
Shaqiri i shënoi gjashtë gola dhe i dhuroi pesë asiste në sezonin e tij të parë me Liverpoolin.
Anësori nga Zhegra e Gjilanit i ndihmoi edhe Zvicrës ta fitojë Grupin në garën inauguruese të UEFA-s, Ligën e Kombeve, dhe si rrjedhojë të luftojë për ta fituar trofeun e parë duke garuar me Portugalinë në gjysmëfinale. Megjithatë, Cristiano Ronaldo me hettrikun e tij ia shoi shpresat Kombëtares helvete dhe e dërgoi Portugalinë drejt finales, ku triumfoi ndaj Holandës.
Tani, Shaqiri është nisur drejt pushimit veror, ku synon të çlodhet dhe t’i mbushë përsëri bateritë para një sezoni tjetër të ngjeshur 2019/20.
Ai ka i ka falënderuar tifozët për përkrahjen përmes një postimi në Instagram.