Xherdan Shaqiri u aktivizua në minutën e 61-të, derisa Liverpooli po vuante në tentim për të shënuar golin e qetësisë ndaj Cardiff Cityt.
Liverpooli ishte duke udhëhequr 1:0 kur Shaqiri hyri në lojë, por Cardiffi po rriste presionin ndaj skuadrës së Juergen Klopit, shkruan sot “Koha Ditore”. Dhe ylli shqiptar prapë bëri dallimin. Loja e Liverpoolit u vlerësua të jetë përmirësuar dukshëm me Shaqirin në fushë.
Në fund Liverpooli e fitoi 4:1 takimin e së shtunës që i takoi xhiros së dhjetë të Premier Leagues së Anglisë në futboll. Golin e tretë e shënoi reprezentuesi i Zvicrës, Shaqiri.
Për të ishte goli i parë në Premier League me fanellën e Liverpoolit dhe poashtu i pari në ndeshje zyrtare me skuadrën. Ai në minutën e 84-t mori topin në zonë nga Mohamed Salah dhe u lirua në mënyrë mjeshtërore nga një mbrojtës para se me goditje të saktë të dërgonte topin në rrjetë.
Prapë lëvdatat nuk kishin të ndaluar për Shaqirin, që te Liverpooli po ngrihet me hapa gjigantë. Por vetë futbollisti ka premtuar edhe më shumë.