Xherdan Shaqiri ka kryer pushimet pas Kampionatit Botëror Rusia 2018. Ylli nga Kosova menjëherë iu ka bashkuar Liverpoolit në stërvitje e turneut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjilanasi është pritur shumë mirë nga tifozët e The Reds, të cilët po e presin shpërthimin e tij. Faqja zyrtare e Liverpoolit ka shkruar se Shaqiri pritet ta bëjë debutimin e tij në ndeshjen miqësore ndaj Manchester United, e cila do të zhvillohet sonte nga ora 23:05 në SHBA.
Në stërvitjen e fundit para ndeshjes me Unitedin, Xherdani është takuar me tifozë shqiptarë të Liverpoolit.
Disa tifozë shqiptarë kanë ndjekur stërvitjen e Liverpoolit, ndërsa pas përfundimit të saj Xherdani është afruar t’i përshëndesë.
Nuk kanë munguar fotot e Xherdanit me tifozët shqiptarë, ndërsa ai nuk ka hezituar të jap nënshkrimin e tij në flamurin kuq e zi të shqiptarëve.