Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës e cila i mori meritat për vendimin për liberalizimin e vizave.
Madje sipas Shashës, është misterioze mungesa e zemërgjerësisë së Qeverisë.
“Është misterioze kjo mungesë e zemërgjerësisë së Qeverisë. Edhe nëse shkojmë në ekstrem dhe e pranojmë pretendimin e VV-së se fal punës së tyre u përmbush një kriter i mbetur (sundimi i ligjit), prapë mbesin 94 kritere të tjera të cilat ata nuk i kanë përmbushur, por dikush tjetër”.
“Dita sikur kjo e sotme duhet të jetë ditë përbashkuese dhe festive e gjithë spektrit politik. Barra e zgjatjes së dorës është çdo herë mbi shumicën”, shkroi Shasha në Facebook.
Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK) ka publikuar dhe një tabelë ku shihen hapat e mbetur për liberalizimin e vizave, pas vendimit final që ndodhi sot në seancë plenare të Parlamentit Evropian.