Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, i ka quajtur kalkulime politike zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës.
Kalkulime politike, thotë ai, po bëjnë ata që nuk po duan ta votojnë presidenten, por edhe ata që po duan ta ndryshojnë ligjin. E që ndryshimin e kërkoi Vetëvendosja, derisa opozita po kundërshton votimin e presidentes, veçanërisht pas propozimit për ligjin.
Të dyja pikat duhet të bëhen, shtoi Shasha, por jo “në terrin e natës”.
“Këta që s’po duan me votu Presidenten po bëjnë kalkulime politike. Këta që po dojn me ndryshu ligjin për zgjedhje po bëjnë kalkulime politike. Profiterat e të dy kampeve po bëjnë kalkulimet e veta. Ndërsa të vetmin kalkulim që po bëjnë qytetarët është që për dy javë në Kosovë kanë vdekur 134 qytetarë, ndërsa 10,013 janë infektuar. Vjosa duhet të bëhet Presidente se ky është vullneti i qytetarëve, Ligji për Zgjedhje duhet të ndryshohet për të dhënë fund segregimit të diasporës. Por asnjë nga këto si kontrabandë në terrin e natës, por si festë në piken e ditës”, ka shkruar Shasha në Facebook.
Të premten, para seancës për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente që pritej të mbahej, Lëvizja Vetëvendosje doli me iniciativën për ndryshim të Ligjit për Zgjedhjet. Pas orës 22:00, në seancën që u thirr për këtë çështje, Kuvendi nuk u pajtua që ndryshimet e propozuara të kalohen në procedurë të përshpejtuar, ndërkohë që tensionet mes Qeverisë e opozitës u rritën.
Partitë opozitare e cilësuan kërcënim dhe shantazh, derisa LDK-ja ka paralajmëruar se nuk marrin pjesë në seancën e votimit të presidentes, pa e tërhequr Kurti këtë iniciativë.