ShBA: Do të ndihmojë Shqipërinë të rrisë shpenzimet ushtarake

Prishtinë | 04 Gus 2026 | 09:39 | Nga Ekonomia Online

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar zyrtarisht ratifikimin nga Shqipëria të marrëveshjes së huas 302 milionë dollarëshe me ShBA-në për rritjen e shpenzimeve ushtarake.

“Kjo hua do të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së Angazhimit të Hagës për Mbrojtjen, për rritjen e shpenzimeve në këtë sektor në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, thuhet në njoftim, shkruan A2CNN.

“Huaja do të ndihmojë në modernizimin e forcave të armatosura të Shqipërisë duke ndihmuar në blerjen e kapaciteteve kyçe me origjinë amerikane dhe do të forcojë aftësinë e Europës që të mbrohet vetë. Si aleat në NATO, Shqipëria është rreshtuar ngushtë me politikat kyçe të jashtme të SHBA, përfshi edhe duke u bërë pjesë si themeluese e Bordit të Paqes së Presidentit Trump”.

Duke shpërndarë njoftimin e DASH, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen.

“Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për partneritetin e palëkundur strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e një mbrojtjeje më të fortë për Shqipërinë, rajonin e më gjerë. Kjo mbështetje do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve tona ushtarake, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë për sigurinë kolektive të Aleancës”, tha ai.

Marrëveshja e votuar javën e kaluar në Parlament dhe e dekretuar nga Presidenti Begaj u bë shkak për debat të ashpër politik. Partia Demokratike nuk e votoi, duke thënë se Qeveria nuk ka respektuar procedurat parlamentare të kalimit të një projektligji. Për këtë, demokratët e kanë dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar 7 shkelje nga ana e mazhorancës.

Të ngjashme