Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Bashkimi Europian kanë akuzuar SHBA-në për “intimidim dhe shtrëngim”, pasi administrata Trump vendosi ndalim-vizash ndaj pesë figurave europiane që kanë luajtur rol kyç në hartimin e Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA).
Mes tyre është edhe ish-komisioneri europian Thierry Breton. BE paralajmëron se do të mbrojë sovranitetin e saj rregullator. Ndalimi i vizave u bë i ditur të martën dhe përfshin Thierry Breton si dhe katër aktivistë kundër dezinformimit nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Uashingtoni pretendon se DSA përbën “censurë” dhe kufizon lirinë e shprehjes, ndërsa BE thotë se ligji synon mbrojtjen e qytetarëve nga përmbajtjet e paligjshme dhe gjuhë e urrejtjes.
Sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio deklaroi se SHBA “nuk do të tolerojë më censurë nga Europa ndaj platformave amerikane”.
Sakaq, Macron e ka quajtur vendimin “sulm ndaj sovranitetit digjital europian”, ndërsa ministri francez i jashtëm Jean-Noël Barrot tha se Europa nuk mund të lejojë që rregullat e saj digjitale të diktohen nga jashtë. Edhe Komisioni Europian paralajmëroi se do të përgjigjet “shpejt dhe në mënyrë vendimtare” ndaj çdo mase që cenon autonominë rregullatore të BE-së.
Pasardhësi i Breton në Komision, Stéphane Séjourné, shprehu solidaritet të plotë.
DSA detyron platformat të ndërhyjnë ndaj përmbajtjeve të paligjshme dhe dezinformimit. SHBA e sheh këtë si kufizim të fjalës së lirë dhe diskriminim ndaj teknologjisë amerikane.
Së fundmi, platforma X e Elon Musk u gjobit me 120 milionë euro për shkelje të rregullave. Ministria gjermane e Drejtësisë e quajti vendimin “të papranueshëm” dhe mbrojti organizatën HateAid.
Eurodeputetë si Dennis Radtke dhe Raphael Glucksmann e cilësuan vendimin amerikan si politik dhe jo parimor, duke bërë thirrje për mbrojtjen e interesave europiane. Vendimi shihet si pjesë e një përplasjeje më të thellë kulturore e politike mes SHBA-së dhe Europës mbi rregullimin e teknologjisë, lirinë e shprehjes dhe rolin digjital në hapësirën publike. /TCh.