Shtetet e Bashkuara dhe Sudani janë akuzuar nga Ministria e Jashtme e Iranit se normalizimin e raporteve mes vendit afrikan dhe Izraelit e kanë arritur përmes haraçit dhe se ky normalizim është i rremë.
Marrëveshja e arritur të premten do të thotë që Sudani bëhet vendi i tretë i botës arabe që vendos marrëdhënie diplomatike me Izraelin në dy muajt e fundit pasi të njëjtën gjë më parë e bënë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni.
“Paguaj haraç të mjaftueshëm, mbylli sytë para krimeve kundër palestinezëve, pasjta do të hiqesh nga e ashtuquajtura listë e zezë e terrorizmit”, shkroi në Tëitter në gjuhën angleze Ministria e Jashtme e Iranit. “Qartazi, kjo listë është aq e rreme sa lufta e ShBA-së kundër terrorizmit. E turpshme”, thuhet në postimin e kësaj ministrie.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të hënën se do ta largojë Sudanin nga lista e shteteve që e sponsorojnë terrorizmin posa t’i depozitojë 335 milionë dollarët që është zotuar për t’i paguar si kompensim për viktimat e terrorizmit dhe familjet e tyre.
Sudani tashmë e ka dorëzuar këtë shumë të të hollave në një llogari të veçantë për viktimat e sulmeve të grupit “Al-Qaeda” ndaj ambasadave të Shteteve të Bashkuara në Keni dhe Tanzani më 1993, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh mes Sudanit dhe Izraelit, në Sudan ka përçarje mes zyrtarëve civilë dhe ushtarakë në qeverinë kalimtare për atë se sa shpejt duhet të formohen dhe sa të thella duhet të jenë raportet me Izraelin.