Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Evropian rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit është i qartë. Ato kanë bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë dhe rinisjen e dialogut me Serbinë.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka përgëzuar kosovarët për përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve të parakohshme. DASH-i ka kërkuar që lidershipi i ri i Kosovës të jetë i gatshëm të angazhohet menjëherë për dialog me Serbinë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ne mirëpresim mundësinë që të punojmë me një qeveri të re, pro-dialogut, kur ajo të formohet dhe e cila është e përkushtuar të forcojë demokracinë dhe të sigurojë paqe, drejtësi dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritjet tona që lidershipi i ri i Kosovës të jetë i gatshëm të angazhohet menjëherë me Serbinë që të punojnë për marrëveshjen që normalizon marrëdhëniet”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, është pritur të martën nga i nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.